Ditën e shtunë më 3 tetor, në orën 15:00 pritet të kryhet shembja e plotë me tritol e pallatit të Kastratit në lagjen nr. 17 në Durrës.

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit Tiranë dhe forcat xheniere të Ushtrisë, Ministria e Mbrojtjes Tiranë kanë planifikuar prishjen e kontrolluar me shpërthim.

Ndodhur në këto kushte, iu kërkohet banorëve dhe bizneseve rreth këtij pallati në rrugën “Dalip Peza” që me datë 03.10.2020, nga ora 11:00 – 17:00 të largohen nga banesat dhe të marrin masa duke hapur dyert e dritaret, pajisjet elektronike t’i ulin në dysheme dhe çdo masë tjetër që shihet e arsyeshme. Shpërthimi do të realizohet në orën 15:00!

Më datë 20 shtator,  IKMT realizoi për herë të parë një procedurë për shembjen e kësaj godine 13-katëshe në Durrës, ku u përdorën 88 kilogramë lëndë plasëse në 1200 furnela (vrima), duke kryer shpërthime në të gjitha katet e brendshme të godinës.

Sipas specialistëve, kjo procedurë është përdorur pasi muret e objektit kanë qenë beton arme me dy zgara hekuri nga themelet deri në kat të fundit, me 40 cm trashësi dhe ishte e pamundur që objekti të shembej me mënyrat e zakonshme.