Goditet një tjetër rast i prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, finalizohet me sukses operacioni policor i koduar "NOJA 3". Sekuestrohen rreth 26 kg lëndë narkotike Cannabis Sativa, arrestohet poseduesi i lëndës narkotike.

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë dhe në bashkëpunim me shërbimet e DVP Durrës e F.L.O,  finalizuan me sukses operacionin policor të koduar "NOJA 3".

Mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi i shtetasit B. M., 44 vjeç, banues në fshatin Nojë, Krujë.

Gjatë kontrollit të ushtruar përreth banesës së tij, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale rreth 26 kg lëndë narkotike e dyshuar e llojit Canabis Sativa.  

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprën penale "Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.