Normalizohet situata në të gjitha akset rrugore të Qarkut të Korçës, përfshi edhe Qafë-Thanën.

Është dashur ndërhyrja e 6 borëpastrueseve për të mbajtur nën kontroll Qafë-Thanën, nga Lini deri në Prrenjas. Trashësia e borës në majën e Qafës së Thanës ka shkuar në 30 cm. Policia, në bashkëpunim me firmën nënkontraktore dhe institucionin e prefektit, për gjatë gjithë natës nuk ka lejuar kalimin e mjeteve të tonazhit të rëndë dhe të papajisurat me zinxhirë edhe për të lehtesuar punën e borëpastrueseve.

Si rezultat i kësaj pune, i gjithë aksi rrugor, të gjitha rrugët nacionale të Qarkut të Korçës janë të kalueshme normalisht. Përjashtim bëjnë vetëm akset në zonat e thella malore, ku kalimi bëhet me zinxhirë.

Edhe në aksin Bulqizë-Peshkopi kalohet pa zinxhirë. Por, akset e tjera kalohen me zinxhirë dhe disa fshatra janë të bllokuara në njësinë administrative Zerqan dhe Trebisht.

Si pasojë e motit të rënduar, disa fshatra kanë mbetur pa energji elektrike në zonën e Devollit dhe në rrethin e Pogradecit. Në Stëblevë të Librazhdit bora arrin 70 cm, ndërsa në fshatin Jagodinë të Elbasanit u përmbytën 30 ha tokë bujqësore nga përroi i Llixhës.

Pasditen e së martës, në Shkodër u bllokua aksi Shkodër-Theth dhe Shkodër-Breg Lumi. Disa akse në veri dhe verilindje janë të kalueshme me zinxhirë. Lartësia e borës në aksin Tunel-Kalimash është 20 cm, por rruga është e kalueshme dhe borëpastrueset janë në punë.

Nga reshjet shumë të dendura të rëna gjatë mesditës në qytetin e Vlorës ka pasur rritje të nivelit të ujit në disa rrugë. Në zonën e Dukat-Orikumit të gjitha familjet të cilat kanë banesat afër lumit të Izvorit, janë paralajmëruar që të marrin masat për largim.