“I lutemi autoriteteteve të na ndihmojnë për gjetjen e trupit të Silvit!”

Ky është apeli i familjarëve të 32-vjeçarit Silvi Prifti, që prej mëse 48 orësh rezulton i zhdukur në det. Me lot në sy dhe e mposhtur nga dhimbja, vajza e hallës, Fationa Meta përsërit apelin për nisjen e kërkimeve për gjetjen e trupit.

“Polumbarët erdhën të dielën vetëm dy orë, ishte deti i trazuar dhe u zhytën vetëm për pak kohë. Kur dolën na thanë kërkojeni vetë tani përgjatë vijës bregdetare”, thotë Fationa për DurrësLajm.

Silvi Prifti doli për gjueti oktapodësh paraditen e së shtunës, rreth orës 11.00, së bashku me dy shokë të tij, por që nga momenti kur u zhyt askush nuk di më gjë për të. Të dorëzuar nga dhimbja, prindërit dhe të afërmit e të riut kërkojnë angazhimin e strukturave shtetërore në operacionin e kërkimit.

“Silvi e bënte këtë punë prej rreth 15 vitesh. Asnjëherë nuk është zhytur kur deti ishte i trazuar. Edhe të shtunën deti ishte shumë i qetë, nuk e dimë çfarë ka ndodhur. Familja e tij jeton në kushte shumë të vështira ekonomike dhe Silvi mundohej të siguronte të ardhurat me punën e tij. Ju lutem na ndihmoni të gjejmë trupin”,- thotë vajza e hallës së 32-vjeçarit. 

Një ditë më parë, ishte xhaxhai i të riut Petrit Prifti, që deklaroi se kërkimet për trupin e të riut janë bërë sa për të thënë pasi sipas tij, strukturat nuk funksionojnë.