Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (Vettingu) ka përjashtuar nga sistemi i drejtësisë prokuroren e parë. Ajo është Prokurorja e Apelit në Shkodër, Besa Nikëhasani, pasi nuk justifikonte pasurinë. Besa Nikëhasani sipas KPK, nuk justifikon dy apartamente, dy garazhe dhe një makinë fuoristradë Toyota Landcrusie me vlerë rreth 20 mijë euro.

Një nga apartamentet e prokurores që nuk justifikohet ndodhet në Tiranë, tjetri në Lezhë. Trupa gjyqësore e KPK që mori vendimin e përjashtimit të prokurores përbëhej nga Suela Zhegu, Genta Tafa (Bungo) dhe Pamela Qirko. Prokurorja ka duartrokitur vendimin me ironi.

Trupa dëgjoi prokuroren Besa Nikëhasani dhe e konsideron të përfunduar seancën. Në përfundim trupa vendosi shkarkimin nga detyra e prokurores.

Prokurorja e Apelit ishte e pranishme në sallë në momentin që u dha vendimi duke e duartrokitur me ironi, ndërsa e cilësoi të padrejtë duke paralajmëruar se do të apelojë. Jashtë ambienteve me një zë të dridhur, ajo deklaroi se ka punuar me ndershmëri, ndërsa i kanë vendosur edhe tritol në banesë.

E indinjuar ajo thotë se ka punuar me përkushtim dhe nuk ka shkelur asnjëherë ligjin,  madje shton se nuk ka asnjë llogari kursimi.

"Ju siguroj nuk e kam shkelur ligjin në jetën time. Nuk e di çfarë prokurorësh duhen?! I jam përkushtur punës duke i lënë fëmijët të rriten vetë. Jam e pastër. Nuk kemi një llogari kursimi, vetëm blej paguaj. Nuk kemi një lloj llogarie kursimi, nuk është e drejtë. Po të mos isha me integritet nuk do të kandidoja në KLP".