“Unë zgjedh të jetoj e sigurtë”, “Në vend që t’i mësoni djemtë të mos përdhunojnë, mësojini të respektojnë”, “Nuk luhet përdhunimesh”.

Ishin këto vetëm disa nga pankartat që mbanin në duar të rinj dhe të reja të Durrësit që dolën të protestonin pasditen e sotme në sheshin kryesor të qytetit ndaj rastit më të fundit të abuzimit ndaj një 15-vjeçareje, por edhe ndaj viktimave të tjera të abuzimeve seksuale, që nga frika nuk denoncojnë përdhunuesit e tyre.

Njëra nga vajzat pjesëmarrëse deklaroi se kishte dalë në protestën e sotme “për t’i thënë stop abuzimeve seksuale që ndodhin nëpër institucione, nëpër shkolla etj”.

“Duam të ndërgjegjësojmë viktimat të denoncojnë, të tregojnë abuzimet e pësuara, sepse vetëm kështu do të mund të parandalojmë raste të tjera në të ardhmen. Vajzat dhe gratë e dhunuara nuk janë fajtore, fajtorë të vërtetë janë përdhunuesit dhe pedofilët”,- tha ajo më tej.

Në të njëjtën orë me protestën e heshtur në Durrës u zhvillua një marshim proteste në sheshin Skënderbej dhe në Kodrat e Liqenit në Tiranë.

Nëna me fëmijë, artistë, gazetarë, politikane dhe përfaqësues të shoqërisë civile marshuan për t’i thënë stop dhunës ndaj të miturve.

Protesta me moton “Për Fëmijërinë e Vjedhur” ka për qëllim reagimin e shtetit dhe forcimin e dënimit për abuzuesit.