“A do ta mbani dot turmën kur t’ju vërsulen sepse po iu “zhduken” të afërmit”? Kjo është pyetja që shtron gazetarja dhe drejtuesja e njohur televizive, Aida Shtino, drejtore e fondacionit “Njerëz të Humbur”.

Zonja Shtino analizon situatën absurde që ka krijuar qeveria në spitalet Covid, ku sikurse raportohet gjerësisht, pacientëve nuk u lejohen telefonat dhe nuk kanë mundësi komunikimi me celularët e tyre me familjarët e të afërmit, pasi u janë konfiskuar.

Shtino ka një pyetje për mjekët që ironikisht i quan të çmuar: “A mundet t’iu bëj një pyetje doktorëve tanë të “çmuar”? Përse nuk ju lejojnë telefonin të sëmurëve me Covid që janë të shtruar në spital?! Kush është arsyeja që nuk i lejojnë të flasin me të afërmit e tyre?” pyet e indinjuar zonja Shtino, përballë faktit që të gjithë pacientët, jo vetëm të sëmurët në gjendje kritike apo të intubuar, nuk lejohen të kenë komunikim me telefon.

“A jeni në terezi ti Ministre Manastirliu dhe ti Kryetare e Komitetit Rakacolli me Pipero e kompani? A i keni trutë në kokë, apo ju kanë vaksinuar juve përpara, se që të jeni kaq të pashpirt nuk ma priste mendja kurrë”, – shton Shtino.

Kurse ka një paralajmërim apelues për qeverinë dhe strukturat shtetërore dhe njerëzit që punojnë në to: “A do ta mbani dot turmën kur t’iu vërsulen, sepse po ju “zhduken” të afërmit? A jeni ne dijeni se çfarë jeni duke bërë? A i keni trute ne koke ju doktoresha a keni fëmijë dhe prinder në shtëpi ju? Kush është arsyeja që nuk iu lini telefon, kush??? “, – shpërthen Shtino.

E në fund ka një tjetër paralajmërim të përforcuar: “Një gjë po ju them, mbajeni mend, se nuk do të arrini të përmbani me turmën e tërbuar, që do t’iu vërsulen nga zemërimi, sepse po i ktheni në kavie laboratori të afërmit e tyre dhe aty jo policia, po as ushtria nuk i bën dot zap?!”