Prej ditësh, asnjë ambulant që tregtonte në zonën bregdetare të Shkëmbit të Kavajës nuk lejohet më të dalë e të tregtojë aty. Ambulantët e shumtë të mallrave industriale, pijeve freskuese e akulloreve, produkteve të ndryshme që përdoren në plazh ishin kthyer në burim shqetësimi për pushuesit, për vite me radhë.

Urdhri ka ardhur i prerë, për të gjithë ambulantët që gjenden në bregdet, por për t’u zbatuar, ky urdhër zbatohet vetëm në plazhin e Shkëmbit të Kavajës. 

Ambulantët që u është ndërprerë aktiviteti kanë reaguar duke dalë në protestë para bashkisë së qytetit. Ata kërkojnë që bashkia të gjejë një zgjidhje, qoftë edhe ndërtimin e një tregu të përkohshëm. Sipas tyre, vetëm ambulantët e zonës së Shkëmbit të Kavajës janë përzënë me dhunë nga policia, ndërsa në plazhin e madh e në zonën e Golemit aktiviteti vijon normalisht.

Ata të gjithë janë të papunë e shpresë për të siguruar sadopak të ardhura për veten e familjen është tregtia e lirë që bëjnë në zonën e plazhit, gjatë tre muajve që zgjat sezoni.

Bashkia do të ishte mirë që të gjithë ambulantët që tregtojnë në zonën bregdetare t’i disiplinojë, mundësisht edhe t’i licensojë, t’ju sigurojë një vend tregtie, për aq kohë sa pushuesit kanë nevojë për mallrat që ata shesin. Këta ambulantë janë edhe shtresa më e varfër e popullsisë, që mundësi punësimi kanë sezonin veror.

K.H.