Katër janë pikat fatale ku janë përqendruar operacionet e kërkim-shpëtimit në qytetin e Durrësit.

Operacionet vazhdojnë ende në zonën e ish-Kënetës te familja Lala, ku operacioni drejtohet nga forcat italiane.

Te pallati i shembur te Kryqi i Kuq janë të përqendruar ekipet nga Kosova dhe Italia, ku po kërkohet për 4 persona nën rrënoja.

Vatra e tretë është te lagja nr. 6 afër shkollës “14 Nëntori”, ku operacioni po drejtohet nga forcat franceze dhe dyshohet për dy persona nën rrënoja.

Ndërsa te vatra e katërt te hotel “Miramare”, operacioni drejtohet nga forcat turke ku dyshohet se ndodhen dy persona nën nrrënoja.

Në total, dyshohet se janë rreth 10 persona nën rrënoja, sipas burimeve nga prefektura e Durrësit.

Ndërkohë gjatë ditës së sotme, grupet e verifikimit do të vazhdojnë punën në njësitë administrative për evidentimin e gjitha banesave të shpallura të pabanueshme e do bëhet evakuimi i banorëve për të mos rrezikuar jetë të tjera njerëzish.

Sipas prefektit Roland Nasto, banorët pritet të akomodohen përgjatë ditës në hotele në zonën e Plazhit të Durrësit, por ende nuk janë bërë të ditura numri i plotë i hoteleve dhe emrat e tyre.

Një ditë më parë, kryeministri Edi Rama tha se “Dimri nuk kalohet dot as nën qiell të hapur e as në tenda, prandaj qeveria do të nënshkruajë një marrëveshje me strukturat hoteliere të Durrësit, Kavajës dhe edhe Vlorës po të jetë nevoja, që të gjitha familjet e mbetura pa çati, të strehohen në kushte optimale, të shërbehen në kushte optimale, t’i kalojnë edhe festat e fundvitit në kushte optimale bashkë me fëmijët e tyre, ndërsa këta të fundit jo vetëm të mos jenë të detyruar të braktisin shkollën asnjë ditë, po edhe të mësojnë në kushte optimale”.