Është ora 20.30, por rrugët e Durrësit janë plot me njerëz dhe automjete. Megjithëse ora policore ka nisur që në 20.00, duket se askush nuk trazohet për të nxituar drejt shtëpisë.

Megjithëse pandemia Covid-19 vazhdon të regjistrojë viktima, vetëm në 24 orët e fundit në qytetin bregdetar u regjistruan 2 humbje jete, ajo që vë re në rrugët e qytetit të krijon përshtypjen se pandemia është zhdukur dhe njerëzit nuk ia kanë më frikën.

E ndërsa qytetarët vazhdojnë të shijojnë “liridaljen”, të bën përshtypje fakti sesi Komiteti Teknik i Ekspertëve vazhdon të mbajë në fuqi masat shtrënguese që duket se nuk i zbaton askush.

Që nga nisja e vitit akademik, studentët kanë qenë të privuar nga frekuentimi i auditoreve, por nga ana tjetër baret, restorantet, qendrat tregtare, shtabet elektorale etj kanë qenë plot.