Jan Prenga, personi që u mor peng më 17 janar në Kamëz u shpall i vdekur nga policia. Megjithëse trupi i tij ende nuk është gjetur ata erdhën në këtë përfundim pas këqyrjes së kamerave të sigurisë në garazhdin e kompleksit “Golden” në Shijak.

Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë momentin kur Jan Prenga nxirret nga automjeti i bardhë “Range Rover” nga disa persona dhe transportohet në një furgon. Në këto momente trupi i tij thuhet se ka qen i pajetë dhe i mbështjellë me qese.

Sot, Top Channel ka publikuar foto nga video e momenteve të rënda kur fiksohen rrëmbyesit e Jan Prengës teksa fusin trupin e tij në një furgon të bardhë.

Në pamjet e kamerave të sigurisë duket gjithashtu momenti kur autorët e ngjarjes ndërrojnë rrobat e tyre dhe përdorin një solucion për të shkatërruar gjurmët e ADN-së që mund të ishin lënë në vendngjarje.

Këto pamje kanë faktuar për organin e akuzës se Jan Prenga është vrarë pasi është marrë peng. Për këtë ngjarje janë arrestuar Leonard Hajri, Bajram Hajri, Elton Hajri, Festim Bexhdili dhe Olsi Turja. Gjithashtu Gjykata Penale e Tiranës i ka komunikuar masën e sigurisë “arrest në burg” Ardian Doçit, i dyshuar për rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës. Doçi ishte shpallur në kërkim në fillim të shkurtit bashkë me Aldo Majnishtën dhe Artan Doçin, anëtarë të grupit Dukagjini pjesëmarrës në rrëmbim. Në kërkim është shpallur gjithashtu edhe ai që konsiderohet si koka e pengmarrjes, Altin Hajrit i cili është dhe pronar i kompleksit “Golden”.

Dosja hetimore për këtë rast pritet ti kalojë Prokurorisë së Posaçme të SPAK.