TIRANE – Kreu i diplomacisë, Edmond Panariti deklaroi dje se për shkak të krizës ekonomike dhe mungesës së fondeve, do të mbyllen disa ambasada shqiptare dhe misione diplomatike në të gjithë botën. 

Ministri Panariti tha se buxheti për Ministrinë e Jashtme është ulur në zërin e investimeve në vlerën e 60 milionë lekë më pak se viti 2012 dhe se deri më tani është mbyllur Ambasada e Argjentinës dhe ajo e Kualalampurit. 

“Unë nuk do të kisha asnjë lloj kompleksi për të rishikuar edhe numrin e ambasadave që kemi. Në total kemi rreth 50 ambasada dhe misione dhe këtë po e bëjnë shtete më të fuqishme se ne, dhe po e shikojnë me shumë përgjegjshmëri dhe vendosmëri, për të reduktuar numrin e përfaqësive të tyre. Jemi në një situatë të vështirë. Pa dyshim që do të shikohet mundësia për t’i mbyllur dhe për t’i hapur pastaj në kohë më të mira dhe më të përshtatshme”,- deklaroi Panariti. 

Ai tha me tej se Shqipëria rrezikon përjashtimin nga organizatat ndërkombëtare për shkak se Ministria e Jashtme nuk ka fonde për të paguar detyrimet dhe kuotat e anëtarësimit. Deklarata u be dje gjatë diskutimit të projektbuxhetit të shtetit për vitin 2013, në Komisionin e Politikës së Jashtme në Kuvend. Panariti deklaroi dje se ka kërkuar vazhdimisht nga Ministria e Financave dhe qeveria që të shtojnë fondet e diplomacisë me rreth 1.3 milionë euro, në mënyrë që të bëhet dhe pagesa e kuotizacionit, si anëtar të OKB-së, Bashkimit të Mesdheut, Fondit të Vishegradit etj., por kërkesa nuk është pranuar nga ministri i Financave.