Mesditën e sotme Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit do të shembë me shpërthim të kontrolluar pallatin e VIP-ave në lagjen 11, në bulevardin “Dyrrah”.

Teksa ka mbetur edhe pak kohë nga prishja e objektit 6-katësh, bulevardi i Durrësit duket si gjendje lufte.

Bizneset kanë hapur xhamat si masë paraprake që të mos preken nga shpërthimi ndërsa kanë vënë edhe thasët e rërës.

Siç duket në fotot që “DurrësLajm” sjell nga bulevardi, ka edhe nga ato subjekte që kanë boshatisur ambientin duke hequr mallin që tregtojnë.

Prej dy ditësh, IKMT njofton banorët e zonës që të ndjekin disa rregulla që banesat dhe subjektet e tyre të shmangin valën goditëse dhe të mos dëmtohen.

“Të gjithë banorët e zonës, në një rreze 300 m nga vendi i shpërthimit, ditën e sotme (4 qershor) nga ora 11.00 – 17.00 duhet të lënë hapur dritaret dhe dyert e banesave dhe subjekteve të tyre për të shmangur valën goditëse, të ulin në dysheme televizorë e kompjuter si dhe të largohen nga banesat dhe subjektet e tyre.”