Paralajmërohet një protestë e 60 familjeve në Durrës, të cilët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga shteti, pasi rrezikojnë jetën nga pallati i dëmtuar për shkak të goditjes nga tërmeti shkatërrimtar.

Bëhet fjalë për banorët e dy pallateve 13-katësh që ndodhen prapa shkollës 9-vjeçare “Kushtrimi i Lirisë”. Pallati ku banojnë 60 familje, ka pësuar dëmtime shumë të rënda në mure të jashtme dhe të brendshme deri në katin e tetë, ndërsa pallati ngjitur me ta është anuar, çka duket edhe me sy të lirë.

Sipas banorëve, që kanë paralajmëruar protestën dhe bërjen publike të problemit të tyre, deri më tani kanë shkuar e kanë ikur grupe pune dhe nuk ka asnjë konkluzion konkret në lidhje me strukturën e pallatit.

“Asnjë proces verbal dhe asnjë ekspertizë, vetëm një shirit i kuq i vendosur nga Policia Bashkiake.
Ndërtuesi i pallatit ka ndërruar jetë para 2 muajsh, firma e tij është e bllokuar nga Tatimet nga borxhet … Ndërsa ne si godinë kemi probleme dhe me hipotekat e pallatit pasi për shkak të një konflikti midis pronarëve të truallit dhe ndërtuesit të ndjerë jemi penalizuar ne si banorë
Sipas thirrjes së Kryeministrit, i bie që ne të mbetemi të rrënuar pasi për shkak të vdekjes së ndërtuesit pallati është pa zot”, shprehen banorët për “DurrësLajm”.

Banorët e kësaj zone në lagjen nr.5 në qytet, pritet të mblidhen rreth orë 10:30.