Ndonëse jemi në stinën e vjeshtës, sërish temperaturat janë shumë të larta krahasuar me faktin që ndodhemi në fund të muajit tetor. Gjithashtu ky muaj nuk ka patur reshje dhe koha ka qenë e qëndrueshme. Por si pritet të jetë moti gjatë muajit nëntor?

Për të folur për këtë temë ka qenë e ftuar në programin “Rudina”, në Tv Klan, meteorologia Tanja Porja. Ajo theksoi se edhe gjatë muajit nëntor reshjet do të mungojnë.

“Kemi thatësirë. Reshjet do mungojnë gjatë muajit Nëntor. Kemi një normalitet disi më të pranueshëm për zonat e ultësirës perëndimore. Do të kemi herë pas here vranësira dhe prezencë të reshjeve, por të pakta. Ndërkohë zona paramalore dhe malore do të jetë më e thatë. Më e thatë, kryesisht skaji juglindor, por edhe verilindja ku do të kemi mungesë, pra parashikohet të bien vetëm 40 përqind të sasisë të reshjeve të Nëntorit. Dhe duhet theksuar që muaji Nëntor është muaji më i lagësht në klimën shqiptare. Pra nëse nuk bien reshje dhe në muajin Nëntor situata është problematike. Nuk kemi patur në Shtator, nuk kemi në Tetor, Nëntori parashikohet mos ketë reshje. Sinjalet thonë që nuk do ketë prezencë të reshjeve gjatë Nëntorit madje edhe gjatë Dhjetorit”, –shprehet Porja.

Vlerat më të larta të temperaturave kanë arritur deri në 28-29 gradë, ndërsa në ato minimale kanë variuar tek 12-13 gradë celcius./Tv Klan