Mungesës së parkingjeve për mjetet në Durrës i shtohen edhe automjetet që dalin për tregëti.

Nuk ka mbetur rrugë në Durrës që parkingjet publike të mos zaptohen nga ata që tregtojnë makina. Tregtarët që në orët e para të mëngjesit parkojnë mjetet në shitje, duke zënë edhe ata pak vende publike që janë lënë për qytetarët e Durrësit.

Rrugët kryesore në Durrës, janë kthyer në minitregje të këtyre mjeteve në shitje, ndërsa asnjë strukturë deri tani nuk ka marrë asnjë masë.

Policia e qarkullimit rrugor dhe ajo bashkiake për gabimin më të vogël të drejtuesve të mjeteve apo për parkimin e gabuar, jo vetëm që i ndëshkojnë këta drejtues por makinën ua dërgojnë në pikën e bllokimit.

Rruga Egnatia, Aleksandër Goga nga Mauzoleumi i Dëshmorëve deri në sheshin Liria, rruga Tregtarëve që të çon për në Vollga etj, janë mbushur me makina që zënë parkingjet publike.

Por ku do të parkojnë qytetarët që kanë shtëpitë në këto zona apo pranë instiucioneve, ndërsa parkingjet janë zaptuar nga tregtarët?

Tregtarët e makinave i kanë pikasur parkingjet publike në anë të rrugëve aty ku reklamojnë makinat e tyre për shitje. Këto parkingje publike që janë të pakta, shfrytëzohen më së miri nga tregtarët pasi në rrugët kryesore kalojnë shumë qytetarë .

Çështja është se asnjë institucion nuk ndërhyn në këtë situatë. Punonjësit e bashkisë dhe ata të qarkullimit rrugor, kalojnë po në të njëjtat rrugë ku qëndrojnë këto mjete.

Zyrtarët e shtetit ose nuk kanë sy në ballë ose i mbyllin përpara faktit të ndodhur.

Qytetërt aludojnë se tregtarët e makinave që zaptojnë parkingjet, bëjnë edhe pagesa nën dorë tek punonjës të shtetit për të zhvilluar aktivitetin e tyre pa u shqetësuar.