Pas 9 muajsh pritje, nis rikonstruksioni i shkollës 9-vjeçare “Jusuf Puka”. Që nga mesi i muajit tetor 2018, kur nxënësit e kësaj shkolle u detyruan të zhvillonin mësimin pasdite tek shkolla “Bedrie Bebeziqi”, stafi pedagogjik, nxënësit dhe prindërit mezi prisnin nisjen e rikonstruksionit.

Vetëm gjatë ditës së sotme, në godinën e amortizuar nisi vendosja e skelave, rrethimi me llamarina dhe sjellja e materialeve të ndërtimit.

DurrësLajm e ka trajtuar disa herë problematikën e kësaj shkolle dhe vonesat në nisjen e rikonstruksionit të saj. Muaj më parë, bashkia e Durrësit deklaroi zyrtarisht se shkolla do të ishte gati për vitin e ri arsimor, por tashmë kjo gjë është e pamundur.

Në tabelën e vendosur nga 2 firmat që janë shpallur fituese të tenderit, Rajli ndërtim sh.p.k. dhe Varaku sh.p.k., afati i përfundimit të punimeve është 150 ditë.

Duke qenë se nisja e punimeve është data 31 korrik, nxënësit dhe stafi mësimor do të kenë mundësi të hyjnë në shkollën e rikonstruktuar, në ditët e para të vitit të ri 2020.

Sipas burimeve zyrtare nga bashkia, vonesa për nisjen e rikosntruksionit të kësaj shkolle është shkaktuar nga Agjencia e Prokurimit Publik, që ka shpallur me vonesë firmën fituese.

Në mesin e muajit tetor 2018, nxënësit e shkollës “Jusuf Puka” u zhvendosën tek shkolla “Bedrie Bebeziqi”, pasi amortizimi i saj rrezikonte jetën e fëmijëve dhe mësuesve. Vetëm në 11 mars 2019, Këshilli Bashkiak miratoi në mbledhjen e rradhës fondin 45.500.000 lekë për rikonstruksionin e shkollës “Jusuf Puka”.

Vlen të kujtohet, se megjithëse ndodhen në qendër të qytetit të Durrësit, të dyja shkollat janë në gjendje të degraduar. Përfundimi i rikonstruksionit të shkollës “Jusuf Puka” mund të hapë dritën jeshile që dhe shkolla “Bedrie Bebeziqi” t’i nënshtrohet rikonstruksionit. Procesi i zhvendosjes së nxënësve në muajin tetor 2018, u prit me kundërshti të mëdha nga prindërit, pasi kushtet e shkollës mikpritëse linin shumë për të detyruar.

Protestat e prindërve për kushtet e vështira dhe erën e rëndë që lëshonin tualetet në të gjithë shkollën detyruan drejtoreshën e atëhershme të Arsimit, Lindita Muka, të inspektonte shkollën “Bedrie Bebeziqi” nga ku bëri edhe deklaratën e saj të famshme: “Të mos pretendojmë shumë. Po t’i referohemi aromave, Durrësi i gjithi mban aromë”.

M.B.