Televizioni publik gjerman: Si askund në Europë, miratimi për BE-në nuk është më euforik se në Shqipëri. Njerëzit janë të pakënaqur me qeverinë e tyre, çdo një në dy persona dëshiron të largohet nga vendi. Maja e protestës janë studentët, që po e tregojnë pakënaqësinë e tyre në rrugë

Rrjeti publik televiz gjerman, ZDF, ka publikuar një reportazh të gjatë për rininë shqiptare, një bashkëpunim mes Arte dhe ARD. Reportazhi titullohet ‘Rinia rebele e Shqipërisë’ dhe vjen kur studentët kanë paralajmëruar një tjetër protestë. Se si do shkojë fati i kësaj proteste, nuk dihet, por reportazhi në fjalë është mjaft prekës dhe trajton problemin e madh të Shqipërisë: Largimin masiv të të rinjve.

“Nga fundi i komunizmit, Shqipëria ka humbur thuajse gjysmën e popullsisë. 4 milionë shqiptarë jetojnë jashtë. Në vend janë diku më pak se tre milionë.

Përse ikin të rinjtë shqiptarë? Sepse ka korrupsion, mungesë pune, mungese e të ardhmes. Një në 2 shqiptare po mendon të largohet. Kjo po shkatërron bazën e shoqërisë, familjen,” thuhet ndër të tjera në reportazh.

Në qendër të reportazhit janë dy studentët, Erisa Zhupa dhe Enrik Shehu, si dhe pedagogu Ervin Goci.

Duke u ndalur tek protesta masive e studentëve në dhjetor, Enrik Shehu që ishte një prej organizatorëve thotë se do vazhdojnë të protestojnë më tej për të drejtat e tyre.

Sipas ZDF, qeveria nuk i mori seriozisht protestat në fillim, madje u tallën. Në reportazh thuhet se korrupsioni ka lulëzuar edhe nën qeverisjen e Edi Ramës, duke theksuar se mes tij dhe studentëve ka pasur përplasje.

“E vërteta është se nuk jemi kënaqur me atë që arritëm nga protesta, por na kërcënuan me humbjen e vitit shkollor”, thotë Shehu.

Për ZDF, askush nga studentët nuk mund të përballojë humbjen e vitit shkollor, pasi kostot janë të larta.

Në reportazhin e mbushur me momente emocionuese, me lot prindërish që nuk duan të shohin fëmijët e tyre duke braktisur vendin, flitet edhe për betonizimin e Tiranës, për korrupsionin e përhapur në sektorin e ndërtimit dhe për protestën për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar.

Në fund të reportazhit thuhet se studentët janë të bindur se do vazhdojnë lëvizjen e tyre.

“Ata mendojnë se tani është koha e duhur për protesta,” thuhet në reportazh. /lapsi.al