Pas kritikave të kryeministrit Edi Rama në zyrën e ALUIZNI-t në Durrës, punonjësit e saj po punojnë me orare të zgjatura. Por për t’i ardhur në ndihmë  emigrantëve të cilët duan të kryejnë procedurat pranë zyrave të ALUIZNI-t në qytetin e Durrësit, po punohet edhe në ditët e pushimit. Kryerja e procedurave të legalizimit për të gjitha banesat e personave që jetojnë në emigrim është në fokus të kësaj agjencie. Emigrantët duket se do të jenë fokusi në këtë periudhë .

Drejtori i ALUIZNI-t Durrës, Arben Isaku, bëri me dije se kërkesat e tyre po merren parasysh duke u bërë edhe përshpejtimi i praktikave  që nga matjet në terrren e  deri te procedimi final i dosjes.

Por ajo e cila vështirëson më së shumti punën e tyre janë problemet e mprehta me të cilat shumica  e emigrantëve hasen duke filluar me ndarjen e trashëgimisë apo edhe lënia në afat të tejzgjatur procedurat.

Procesi i legalizimeve për emigrantët është i përshpejtuar dhe sipas kreut të ALUZINI-t Durrës, përfundon brenda pak kohe. Teksa thekson se puna po ecën me ritme shumë të mira, Isaku shton se problemi i vetëm për ALUIZNI-n Durrës mbetet bllokimi i zonës arkeologjike A dhe B. Mbi 10 mijë objekte informale janë ndërtuar në 25 vitet e fundit në Zonat A dhe B të qytetit të Durrësit.

K.H.