Pas përmbytjeve të shumë zonave dhe shtëpive në Shijak, për shkak të daljes nga shtrati të lumit Erzen, banorët e qytezës së vogël po përballen me një tjetër vështirësi.

Dëmtimi i një tubacioni që furnizon Shijakun me ujë të pijshëm ka lënë pa këtë mjet jetik qindra banorë.

Por, sipas kryebashkiakut Elton Arbana, ekipet në terren kanë ofruar zgjidhje për banorët e mbetur pa ujë.

Falë bashkëpunimit me Ujësjellësin e Durrësit, depozitat e përbashkëta të pallateve po furnizohen me bote, ndërsa po punohet për zgjidhjen sa më shpejt të problematikës së krijuar në depon e Shilores.

“Si pasojë e dëmtimit të një tubacioni që furnizon me ujë të pijshëm qytetin e Shijakut ka pasur ndërprerje të furnizimit me ujë.

Bashkia Shijak në bashkëpunim me ujësjellësin e Durrësit po ndihmon banorët duke i shpërndarë ujë me bote.

Në të gjitha pallatet e rikonstruktuara që kanë depo të përbashkët po u vijmë në ndihmë banorëve duke i furnizuar me ujë.

Ndërkohë që po punohet në depon e Shilores për zgjidhjen sa më të shpejtë të problemit.”,– shkruan Arbana.