Kushtet e kthjellimeve dhe vranësirave të shpeshta do të na shoqërojnë gjatë orëve të paradites në të gjithë vendin, më të dendura vranësirat paraqiten në zonat veriore-verilindore duke gjeneruar rrebeshe shiu afatshkurtra.

Pjesa e dytë e ditës do të vijojë me alternime kthjellimesh dhe vranësirash në zonat veriore por në qendër dhe jug të vendit do të ketë zhvillim të vranësirave duke rrezikuar rrebeshe shiu të izoluara. Gjatë natës pritet përmirësim i kushteve atmosferike në të gjithë vendin.

Sipas “MeteoAlb”, për sa i përket temperaturave të ajrit, do të pësojnë rënie me 2 gradë celcius në të dy vlerat ekstremale të ditës. Era do të fryjë mesatare gjatë ditës, por deri e fortë gjatë natës duke arritur shpejtësinë 45 km/h nga drejtimi Jugperëndimor, për pasojë në brigjet detare do të gjenerohet dallgëzim deri në 3 ballë.