Pas përfundimit me sukses të fazës së parë në zonën e Durrësit, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka nisur aplikimin e projektit pilot për instalimin e matësave inteligjentë në zonën Kashar-Vorë. Aktualisht janë në fund të procesit të instalimit 3527 matësa inteligjent, ku mes tyre përfshihen 1000 subjekte private dhe rreth 20 shtetërore.

Instalimi i këtyre matësave bën të mundur përmirësimin e procesit të faturim-arkëtimit si dhe rrit transparencën ndaj klientit për konsumit ditor dhe mujor të energjisë elektrike duke i ofruar atij mundësinë për të aksesuar në çdo moment dhe kohë reale konsumin në matës nëpërmjet aplikacionit mobile.

Procesi i instalimit të këtyre matësave u ndoq nga afër nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cila u njoh me ecurinë e punës dhe mënyrën e aplikimit të tij.

Ky sistem i ri për matjen e energjisë elektrike, i cili në zonën e Durrësit, Vorës dhe Kasharit po aplikohet në mënyrë të suksesshme, është cilësuar nga ministrja Balluku si një komponent tjetër i rëndësishëm i reformës në sektorin energjetik.

“Ky është një sistem i cili nuk lë asnjë rrugë për abuzime, qoftë nga abonenti por qoftë edhe nga punonjësit e OSHEE-së. Tashmë faturat printohen direkt sipas të dhënave që ky sistem nxjerr. Për më tepër sistemi i matësave inteligjentë ofron gjithashtu kontrollin e automatizuar për të gjitha problemet gjatë shkëputjes së energjisë elektrike apo rilidhjes së saj nga qendra”, u shpreh Balluku.

Matësit inteligjentë bëjnë të mundur gjithashtu matjen e energjisë elektrike në çdo moment duke i dhënë mundësi kështu Operatorit të Shpërndarjes për një menaxhim më të mirë gjatë periudhave të ngarkesave në rrjet.

“Projekti i Durrësit dhe projekti i Kashar-Vorës, janë dy projektet e para pilot për të vijuar më tej dhe në bashkëpunim me Bankën Botërore për ta aplikuar në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë matësit inteligjentë të cilët kanë të gjitha këto veti të dobishme si për abonentin ashtu dhe për sistemin e shpërndarjes”, theksoi më tej ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Nga ana tjetër, ky projekt i mundëson OSHEE përmirësimin e procesit të matjes dhe grumbullimit të arkëtimeve duke reduktuar kostot në terren si dhe duke rritur saktësinë e faturave.

Ky model matësi i energjisë është bën të mundur edhe matjen me 2 kahe, çka krijon hapësirat e nevojshme për përdoruesit që dëshirojnë të instalojnë impiante fotovoltaikë për vetkonsum.