Që moti në Durrës, në dy javët e fundit, i ngjason atij të vendeve tropikale, kjo tashmë nuk habit askënd.

Prej më shumë se një jave, qytetarët e Durrësit, por edhe pushuesit i gëzohen gjatë paradites motit të mirë e me temperatura të larta, ndërsa pasditeve, kryesisht, ‘shijojnë’ erën e fortë dhe reshjet e shiut, që shkaktojnë jo pak probleme në qytet.

Bizneset përgjatë bulevardit kryesor të qytetit detyrohet të ulin në tokë të gjitha çadrat, në mënyrë që era e fortë të mos i flakërojë tutje, duke u bërë shkak për dëme më të mëdha.

Ndërkohë shumë nga qytetarët rendin drejt shtëpive apo strehave për t’u mbrojtur nga reshjet e dendura të shiut. Të pamësuar për të marrë çadrën përherë me vete, njësoj si anglezët, durrsakët kanë nxjerrë mësim nga këto kapriço moti, duke evituar vendet e hapura gjatë këtyre pasditeve plot stuhi e ciklone verore.