Më në fund duhet se gjërat po lëvizin për të çuar para drejtësisë të gjithë shkaktarët e dëmeve shkatërrimtare që shkaktoi tërmeti i 26 nëntorit në Durrës.

Sipas burimeve të DurrësLajm, policia ka nisur dy ditët e fundit një aksion të gjerë me arrestime në qytetin bregdetar.

Deri më tani mendohet se janë 16 të ndaluar apo arrestuar nga policia, megjithëse këtë fakt blutë e Durrësit nuk e konfirmojnë ende zyrtarisht, pavarësisht se deklarojnë se po punohet intensivisht në këtë drejtim dhe pritet të ketë edhe një deklaratë zyrtare lidhur me çështjen.

Bëhet me dije se Prokuroria ka grupuar në një të vetme dosjet e të gjitha objekteve të shembura më 26 nëntor dhe që shkaktuan të vdekur e të plagosur.

Tek objektet Mira Mare, Konvaleshenca, pallati 6 katësh pranë Kryqit të Kuq në lagjen nr.18, pallati 6 katësh tek zona e dy gjelave, hotel “Tropikali”, vila katër katëshe në ish-kënetë dhe hotel “Vila Palma”, janë përqendruar hetimet që në ditët e para. Nga shembja e këtyre ndërtesave pati viktima, ndaj dhe hetimet u rregjistruan për “Ndërtim të paligjshëm” dhe “Shpërdorim detyre”.

Sipas burimeve të DurrësLajm, në këto hetime janë përfshirë 10 prokurorë, 6 nga Durrësi dhe 4 nga Tirana.

Kryeprokurori Olsian Çela ishte në fillim javë në prokurorinë e Durrësit dhe mesazhi i tij ishte i qartë në komunikimin e tij me mediat: Mos i zvarrisni hetimet, njerëzit duan drejtësi.

Nga tërmeti i 26 nëntorit në Durrës humbën jetën 24 viktima, ndërsa ishin me qindra të plagosurit dhe të lënduarit.