Autoriteti Rrugor Shqiptar, Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit dhe Policia e Shtetit po vazhdojnë punën në terren për pastrimin e nyjeve dhe akseve rrugore kombëtare nga tabelat, strukturat e lehta, materialet reklamuese të vendosura në shkelje të Kodit Rrugor.

Gjatë pesë ditëve të para është ndërhyrë në nyjen e Shkozetit ku janë prishur tre ndërtime të lehta, disa rrethime që preknin hapësirat e rrugës. Janë larguar bizneset e fidanishteve që ishin vendosur në nyjen e mbikalimit ashtu sikurse disa automjete të vjetra e të braktisura.

Aksi rrugor me drejtim nga Tirana në Shkozet është pastruar nga tabelat dhe reklamat informuese të subjekteve të ndryshme të biznesit, të vendosura në distancë të ndaluar nga rruga.

Në aksin Tiranë-Shkozet, ARRSH dhe IKMT kanë kryer heqjen e mbi 40 tabelave, një kabine elektrike dhe mjeteve reklamuese.

Në krahun lindor të Bypass-it të Shkozetit janë hequr mbi 30 tabela informuese dhe janë zhvendosur gomat e vendosura për reklamim nga disa biznese anë rrugës. Po në drejtim të mbikalimit të Shkozetit janë disiplinuar hapësirat e përdorura nga tre gomisteri dhe po vazhdon puna për pastrimin e aksit nga tabelat e tjera.

Paralelisht me këto ndërhyrje, ARRSH dhe IKMT po vazhdojnë evidentimin e situatës në akset e tjera Tiranë-Hani i Hotit; Tiranë-Vlorë; Tiranë- Kapshticë, Levan-kakavijë dhe Vlorë-Sarandë-Jorgucat. Në këto akse do të ndërhyhet në javët e ardhshme.