Kryebashkiakja e Durrësit Valbona Sako, ka ndërmarrë një nismë për pastrimin e qytetit, ku e gjithë administrata e Bashkisë dhe e ndërmarrjeve në varësi janë shpërndarë në të gjithë Durrësin më qëllim pastrimin e qytetit, por edhe sensibilizimin e qytetarëve që ta mbajnë sa më pastër atë.

Në kuadër të kësaj nisme, ndërmarrja “Rruga” me mjetet e saj të rënda ka pastruar zonën pranë kampusit universitar, ndërmarrja UKD ka pastruar Sektorin Rinia, ndërmarrja e shërbimeve komunale është shpërndarë në pika të ndryshme të qytetit ndërsa ajo komunale plazh së bashku me zjarrfikësit në të gjithë zonën e plazhit, administrata e kulturës dhe sportit në zonën pranë stadiumit ndërkohë që ajo arsimore pranë spitalit, administrata e bashkisë në shëtitoren “Taulantia” dhe në zonën e Currilave etj. Kjo nismë për pastrimin e qytetit është përkrahur edhe nga qytetarët e Durrësit.

Kryebashkiakja Sako deklaroi se pastrimi i qytetit është detyrë e bashkisë, por edhe qytetarët duhet të japin kontributin e tyre.