Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në vendin tonë kërkon nisjen urgjente të hetimeve ndaj stafit të shkollës në Babrru, dhe marrjen si të pandehur nga Prokuroria Ministren e Arsimit, Besa Shahini për shpërdorim detyre, lidhur me rastin e abuzimit të 15-vjeçares nga roja 65-vjeçar.

Në një reagim për mediat, CRCA/ECPAT Shqipëri teksa liston rastet e abuzimeve seksuale nëpër shkollat e vendit, thotë se nuk ka patur asnjë masë nga ana e ministris Besa Shahini për t’i parandaluar dhe adresuar këto probleme.

“Me mosveprimet e saj dhe duke mos përmbushur detyrën që duhet të ndërmarrë, ajo ka lejuar që në shkollat shqiptare të vazhdojë dhuna dhe shfrytëzimi sekslual i fëmijëve duke dëmtuar rëndë kështu interest e fëmijëve dhe duke shkelur haptazi mbrojtejn e tyre.”, thuhet në deklaratë.

DEKLARATA E PLOTË

Tiranë, 3 Qershor 2020 – CRCA /ECPAT Shqipëri, me anë të kësaj deklarate për shtyp, kërkon të shprehë shqetësimin e saj se hetimet që po zhvillohen pas arrestimit të një grabitqari seksual dhe personave të tjerë të përfshirë në dhunën dhe shfrytëzimin seksual të një 15-vjecareje në Tiranë, nuk janë shtrirë në një rrafsh edhe më të gjerë, për të përfshirë edhe drejtuesit e Arsimit në Shqipëri, shkollën, drejtuesit e saj, Bordin e Shkollës dhe trupën mësimore.

Gjatë dy ditëve të fundit, pranë CRCA/ECPAT Shqipëri kanë mbërritur ankesa nga persona që supozohet se banojnë apo kanë të njohur në lagjen ku jetonte viktima e dhunës seksuale, të cilat  akuzojnë trupën drejtuese dhe trupën mësimore të shkollës, për përfshirje në dhunën seksuale të vajzave të tjera të mitura në këtë shkollë.

Duke mos patur mundësi të verifikimit të vërtetësisë së këtyre informacioneve, ne e ndjejmë për detyrë qytetare që t’i kërkojmë Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë Tiranë që të zgjerojë rrethin e hetimit, duke përfshirë Bordin e Shkollës, të cilët në bindjen tonë janë përgjegjës jo vetëm për punësimin e grabitqarit seksual që tashmë është i arrestuar dhe pret gjykimin, por edhe për mos-miratimin e standarteve dhe rregullores në shkollë që do të bënte të mundur parandalimin e ngacmimeve dhe dhunës seksuale ndaj vajzave në këtë shkollë.

Nga ana tjetër, ne kërkojmë një hetim të thelluar ndaj trupës drejtuese, drejtorit të shkollës, i cili sot është pushuar nga puna pa asnjë justifikim nga ana e Ministrisë së Arsimit, si dhe të gjithë trupës pedagogjike në këtë shkollë, ku të paktën për një vit rresht një 15 vjeçare u bë pre e dhunës dhe shfrytëzimit seksual.

Përtej këtyre hetimeve, ne si CRCA/ECPAT Shqipëri nxisim Prokurorinë e Rrethit gjyqësor Tiranë, që të vendosin nën hetim edhe Ministren e Arsimit, Besa Shahini, bazuar në nenin 248 të Kodit Penal, nën akuzën e shpërdorimit të detyrës, për shkak se ajo nuk ka marrë asnjë masë që shkollat anembanë Shqipërisë të jenë vende të sigurta për vajzat, për të denoncuar raportimin e ngacmimit dhe dhunës seksuale, brenda apo jashtë shkollës.

Vetëm dy muaj më parë, në shkollën “Jakov Xoxa” në Fier, u denoncua nga nxënësit, ngacmime dhe dhunë seksuale që ushtroheshin nga disa prej mësuesve të saj. Një vit më parë, 7 adoleshentë dhunuan në mjediset e shkollës një vazjë të mitur në Kavajë. Vetëm disa muaj më parë, u denoncua një mësues që dhunoi seksualisht nxënësen 11 vjeçare në shkollën e fshatit Kalasë të Delvinës.

Në korrik të vitit 2019, Gjykata e Gjirokastrës, dha vendimin sërish për një tjetër çështje mbi dhunën seksuale të një mësuesi ndaj nxënëses së tij. Në korrik të 2019, një tjetër rast i rëndë i dhunës seksuale ndaj një vajze të mitur u denoncua në mjediset e shkollës në Arapaj të Durrësit, ndërsa në Tepelenë, në të njëjtën periudhë një mësues 63 vjeçar u akuzua për ngacmime seksuale në shkollë.

Përgjatë këtyre dy viteve duket se nuk ka patur asnjë masë nga ana e ministrisë, drejtuese e së cilës është Besa Shahini për ti parandaluar dhe adresuar këto probleme.

Me mosveprimet e saj dhe duke mos përmbushur detyrën që duhet të ndërmarrë, ajo ka lejuar që në shkollat shqiptare të vazhdojë dhuna dhe shfrytëzimi sekslual i fëmijëve duke dëmtuar rëndë kështu interest e fëmijëve dhe duke shkelur haptazi mbrojtejn e tyre. Duket se lista e rasteve po shtohet përgjatë kohës, dhe ne kërkojmë urgjentisht marrjen e masave, që sistemi arsimor shqiptar të mos “Dorëzohet” përballë pedofilëve.