Nga Kakavija, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, ka deklaruar se nuk ka një plan në lidhje me përgjimin e shtetasve shqiptarë.

Ai tha se një plan i tillë nuk është nisur në parlament dhe i cilësoi si një alarm i rremë në lidhje me iniciativën e qeverisë.

“Ne s’kemi nisur ndonjë plan për survejimin e të gjithë shtetasve shqiptarë në parlament. Nuk ka një plan të tillë, të survejojmë shtetasit shqiptarë. Janë dhënë alarme nga ata që ende nuk janë njohur me iniciativën e qeverisë, e cila synon vetëm t’i krijojë policisë mundësitë për të ushtruar funksionet e saj në drejtim të parandalimit të krimit.

Janë funksionet e natyrshme të çdo policie që të ndjekë në raste të nevojës për parandalim, të mund të ndjekë një person, i cili duhet ndjekur, në kushtet e parandalimit, konform përcaktimeve të qarta ligjore”, u shpreh Lleshaj.

Ndërkohë, ministri i pyetur nëse për këto përgjime duhet marrë leje nga prokuroria ai u shpreh se leja do të merret nga organet drejtuese të policisë.

“Policia e Shtetit është vetë organ ligjzbatues dhe ka detyrën dhe përgjegjësinë për të ushtruar parandalimin e krimit. Dhe leja do të jepet nga autoritetet përkatëse drejtuese të policisë”.