Mbytet nga dallgët e fuqishme veliera “Tiara”, e cila u bllokua pranë Sfinksit në Durrës prej disa ditësh.

Veliera që mbante në bord 3 turq dhe 1 amerikan, ngeci më 26 shkurt në zonën e Currilave për shkak të motit të keq me det të trazuar.

Katër personat kanë arritur të dalin vetë deri në breg shëndoshë e mirë, ndërsa veliera qëndroi në det dhe arriti të dilte në breg si pasojë e shtytjes nga dallgët pas më shumë se 24 orësh. Ajo u la aty për shkak se ishte e vështirë tërheqja e saj nga uji.

Por fati nuk ka qenë në anën e velierës, e cila mëngjesin e kësaj të hëne ka gdhirë e përmbytur. Moti me erë të fuqishme që përfshiu gjirin e Durrësit orët e fundit, ka bërë që veliera të përmbytet, siç mund ta shihni edhe në pamjet që përcjell “DurrësLajm” nga vendi i ngjarjes.

Veliera “Tiara” vinte nga Mali i Zi dhe kishte për destinacion Turqinë.