Me rastin e 20 Nëntorit 1943, në lapidarin simbol të kësaj dite, bashkia e Durrësit ka organizuar një ceremoni në përkujtim të të gjithë atyre të rinjve luftëtarë e patriotë që u internuan në kampet e përqendrimit nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Në këtë ceremoni merrnin pjesë prefekti i Qarkut Roland Nasto, kreu i Këshillit të Qarkut Alfred Mullaraj, përfaqësues të tjerë të pushtetit vendor e qendror, veteranë të luftës etj..

Të pranishmit bënë homazhe dhe vendosën kurora me lule në nderim të sakrificave të gjithë atyre të rinjve që u persekutuan dhe u internuan në kampet e shfarosjes masive gjatë pushtimit nazist të vendit.

Në mëngjesin e 20 nëntorit të vitit 1943 qytetarët durrsakë përjetuan një ngjarje tronditëse, bastisjen e shtëpive nga nazistët dhe marrjen me forcë të bijve të tyre.

Këta të rinj durrsakë u sollën me dhunë në fushën e Shkozetit, aty ku ndodhet ky lapidar, dhe më pas i hipën nëpër kamionët e ushtrisë gjermane duke i dërguar fillimisht në burgun e Tiranës e po atë ditë në kampet e shfarosjes, si në Prishtinë, Mat’hauzen, Dakau etj.

Ata të rinj durrsakë me sakrificën e tyre dhanë një mesazh të rëndësishëm, atë të luftës për liri duke sakrifikuar edhe jetën pasi atdheu është më i shtrenjti. Sakrificat e këtyre të rinjve mbeten një mesazh i fuqishëm për të gjithë brezat që e duan Shqipërinë.

K.H.