Bashkia e Durrësit ka organizuar ceremoninë solemne me rastin e 14 Nëntorit, ditës së çlirimit të Durrësit nga pushtuesit nazifashistë në 1944. Në këtë ceremoni merrnin pjesë kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, kryetari i këshillit të Qarkut Alfred Mullaraj, prefekti Roland Nasto, kryetari i organizatës së veteranëve të LANÇ-it Durrës Nazim Tafa, veteranë të luftës dhe të afërm të dëshmorëve që dhanë jetën për liri.

Ceremonia është çelur me ekzekutimin e himnit kombëtar dhe më pas fjalën e rastit në emër të Bashkisë së Durrësit e mbajti drejtori i arsimit, kulturës, rinisë, sporteve dhe komuniteteve fetare Adrian Gurra. 

Më pas kryebashkiaku Dako ka përshëndetur të pranishmit dhe ka shpërndarë edhe disa çertifikata të akorduara nga shoqata e LANÇ për disa veteranë. Në këtë ceremoni e kanë marrë fjalën edhe veteranë të luftës, drejtues të organizatës së LANÇ-it të cilën sollën kujtimet e tyre nga lufta antifashiste nacionalçlirimtare dhe nga dita e çlirimit të Durrësit.

Me rastin e kësaj dite qendra kulturore e fëmijëve në bashkëpunim me Bashkinë e Durrësit kanë zhvilluar një koncert me këngë korale me tematikë patriotike në sheshin e qytetit.