Është përkujtuar në Durrës 80-vjetori i rezistencës ndaj pushtimit italian. Në ceremoni merrnin pjesë kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, presidenti i Republikës Ilir Meta, veteranë dhe shumë qytetarë durrsakë të cilët kanë bërë homazhe pranë bustit të Mujo Ulqinakut, ku kanë vendosur edhe kurora me lule.

Sipas kryebashkiakut Dako, kjo datë shënon edhe aktin më madhor e patriotik në emër të lirisë, të asaj lirie që u arrit me gjak e sakrifica nga ata bij e bija që, duke bërë detyrën ndaj atdheut, ngritën lart dinjitetin kombëtar, ruajtën pavarësinë e tij dhe e rreshtuan Shqipërinë përkrah aleancës antifashiste.

Nga ana e tij presidenti Ilir Meta deklaroi se: “Ne jemi këtu në Durrës pikërisht në këtë 80-vjetor për të kujtuar me krenari të pafund Mujo Ulqinakun dhe të gjithë ata ushtarakë dhe vullnetarë, të cilët i qëndruan betimit ‘Për Atdhe e për Flamur’. Dhe të cilët me qëndresën e tyre heroike ndaj njërës prej fuqive më të mëdha të kohës bënë krenar çdo shqiptar njëherë e përgjithmonë dhe jo vetëm kaq, por e kthyen 7 prillin në ditën e parë të rezistencës antifashiste të popullit shqiptar duke vendosur me sakrificën e me gjakun e tyre vendin tonë në anën e duhur të historisë, por edhe të qytetërimit. Ndaj edhe jam sot këtu për t’u përulur me nderim të jashtëzakonshëm përpara një ushtaraku aq të thjeshtë sa ç’ishte Mujo Ulqinaku, i cili me vetëdije të plotë i bëri një shërbim të jashtëzakonshëm historik Atdheut dhe kombit tonë, duke dhënë mesazhin e sakrificës më sublime në emër të dinjitetit kombëtar”.

Fjalën e rastit në këtë ceremoni përkujtimore e mbajti drejtori i arsimit, kulturës, rinisë, sporteve dhe komuniteteve fetare në Bashkinë e Durrësit Adrian Gurra i cili deklaroi: “Historia shenjohet përmes datash që nguliten në rrjedhë të kohërave për të mirë a për të keq. Ka data që në ndërrim të brezave ndryshojnë dhe vlerësim. Ka data që nuk ndryshojnë kahje kurrë. I tillë është 7 prilli i vitit 1939, një datë e zezë për Shqipërinë e për Europën: vendi i vetëm në kontinent që u pushtua para se të fillonte Lufta e Dytë Botërore".

Në këtë ceremoni u shpreh respekti dhe mirënjohja nga shoqata e veteranëve për banorët e Durrësit që u angazhuan në këtë luftë të rëndësishme të popullit tonë dhe që sakrifikuan deri edhe jetën e tyre për lirinë e vendit.

K.H.