Bashkia e Shijakut ka nisur sistemimin e argjinaturës së lumit Erzen, në mënyrë që të shmangen përmbytjet nga shirat gjatë periudhës nëntor-janar.

Përmes një postimi në Facebook, kryebashkiaku Elton Arbana njofton se aktualisht po punohet në gjithë territorin e bashkisë Shijak për pastrimin e kanaleve kulluese dhe vaditëse.

“Bashkia e Shijakut po merr që tani masat për shmangien e përmbytjeve nga shirat kryesisht gjatë periudhës nëntor-janar. Po sistemojmë argjinaturën e lumit Erzen.

Po punohet në gjithë territorin e bashkisë Shijak për pastrimin e kanaleve kulluese dhe vaditëse. Vazhdojmë koordinimin me Ministrinë e Bujqësisë për zgjidhjen e problematikave me rezervuarët.

Punët që kanë ndikim të drejtpërdrejtë te mirëqënia e qytetarëve do të vazhdojnë të jenë fokusi ynë i përditshëm. Ku ka vullnet, ka zgjidhje!”, shkruan Arbana.

Dalja e lumit Erzen nga shtrati ka shkaktuar jo pak përmbytje gjatë stinës së reshjeve që lam pas. Jo më larg se një ditë më parë, ishin banorët e Sukthit të cilët për “DurrësLajm” kërkonin nga autoritetet që të ndërtohet argjinatura e lumit, pasi dëmet e shkaktuara nga përmbytjet nuk mbulohen nga dëmshpërblimi.