“Nëse ju ndodh një e papritur apo avari në brigjet shqiptare, telefononi Autoritetin Portual Durrës, flasin shumë mirë italisht dhe do t’ju ofrojnë gjithë asistencën e mundshme dhe në mënyrën më të mirë.”

Me këto fjalë, njëri nga turistët italianë të shpëtuar mbrëmjen e së mërkurës nga Kapitaneria dhe Roja Bregdetare e Durrësit, shpreh konsideratën për punën mjaft të mirë të bërë nga autoritetet në ndihmë të jahtit me 7 persona në bord, që rrezikoi mbytjen për shkak të fikjes së motorit.

Vittoria Vegni ka postuar një status të gjatë në grupin Velisti in Facebook, një grup ky me rreth 42 mijë anëtarë. Ndërsa rrefen për problemin që patën me jahtin, pasditen e së mërkurës kur gjiri i Durrësit u përfshi nga një stuhi e fortë, Vegni shpreh konsideratën e tij për punën e bërë nga Kapitaneria dhe gjithë personat e përfshirë në operacionin e shpëtimit.

“Dëshiroj të falenderoj publikisht Kapitenin e portit të Durrësit, Taulant Allka, që u vu menjëherë në lëvizje për të zgjidhur problemin, si dhe gjithë personat e përfshirë, për disponibilitetin, përzemërsinë dhe mirësinë e treguar”,-shkruan mes rreshtave turisti italian.

Në të njëjtën kohë, ai nënvizon se edhe avaria në jaht u zbulua dhe u rregullua shumë shpejt nga mekaniku, pavarësisht se ishte një problem jo i lehtë për t’u zbuluar.

Postimi i tij në grupin në Facebook ku pronarët e jahteve shprehin opinionet e tyre mbi portet tek të cilat ndalen gjatë udhëtimit të tyre në det është një reklamë shumë e mirë për portin e Durrësit, që këtë vit realizoi disa ndryshime të rëndësishme në kalatën nr.4 për t’u garantuar jahteve dhe megajahteve që ankorohen aty kushte komode qëndrimi.

Kapiteni i portit të Durrësit, Taulant Allka, pati nënvizuar në një intervistë për DurrësLajm pak javë më parë, se ndryshimet kanë sjellë një impakt mjaft pozitiv, pasi pronarët e jahteve të shumta që ankorohen në portin më të madh në vend mbesin shumë të kënaqur dhe kanë zgjatur kohën e qëndrimit në qytetin bregdetar. Nga ana tjetër, janë rritur ndjeshëm komentet pozitive në blogjet e udhëtimit për lehtësirat dhe komoditetin që ofron porti i Durrësit.

Mbrëmjen e së mërkurës, një jaht me 7 turistë italianë pësoi avari në brigjet e Durrësit, për shkak të fikjes së motorit. Ndërhyrja shumë e shpejtë e autoriteteve portuale bëri të mundur ankorimin e tyre pa probleme në kalatë. Të gjithë turistët ishin në gjendje mjaft të mirë shëndetësore.

M.B.