Paraditen e sotme, para se të niste mbledhja e Këshillit Bashkiak Durrës, në të cilën ishte parashikuar të kalonte me urgjencë për miratim Plani i Përgjithshëm Vendor, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë ka dorëzuar pranë KB-së, disa komente për dëgjesën publike të bëra 3 ditë më parë dhe propozime për Këshillin, të cilat i janë adresuar për dijeni edhe kryebashkiakes Emiriana Sako.

Në një dokument me 4 faqe të firmosur nga kreu i saj Alban Isteri, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Durrës, e cila kishte përfaqësuesit e saj në dëgjesën publike i ka adresuar Këshillit disa shqetësime të saj, nisur nga fakti se PPV po kalonte për miratim pas një vonese 5-vjeçare.

Sipas Dhomës, gjatë kësaj periudhe kanë ndryshuar faktorë sociale, ekonomike, demografike, natyrore si dhe urbanë që lidhen jo vetëm me cilësinë e jetës së banorëve të qytetit, por me numrin e lejeve të ndërtimit të dhëna gjatë këtyre viteve.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Durrës thekson në dokument se këto ndryshime të kësaj periudhe 5-vjeçare nuk kanë qenë në përputhje me planin e pamiratuar, por janë zhvilluar të veçanta.

Në shkresën që “DurrësLajm” po e publikon të plotë më poshtë, Dhoma, si mbështetëse e interesave të biznesit, shtron disa pyetje në fusha të veçanta si ekonomi, territore urbane etj.

“Kush dhe ku janë nevojat e biznesit sot e në vijim për shtim të kapaciteteve për realizimin e ndërmarrjeve të reja apo për shtimin e atyre aktuale, nëse nuk njohim sa është numri i ndryshuar sot i biznesit dhe nevojës së tyre, mbase do të vijojmë të realizojmë shërbime dhe infrastruktura që nuk i shërbejnë biznesit dhe investitorëve strategjikë”,- shkruhet ndër të tjera në dokumentin që Dhoma ka dorëzuar në KB.

Në shkresë ngrihen edhe të tjera shqetësime që kanë të bëjnë me përllogaritjen e saktë të densitetit të popullsisë, lejet e ndërtimit të dhëna gjatë 6 viteve (2015-2021) etj, të cilat sipas Dhomës i cënojnë propozimet e reja për insfrastrukturën, rrjetet e kanalizimeve dhe ujësjellësit, rrugëve etj, të gjitha të projektuara në vitin 2015.

Në dokumentin e përpiluar nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Durrës ku janë listuar shqetësimet e saj dhe i janë adresuar Këshillit Bashkiak dhe kryebashkiakes Emiriana Sako kërkohet bashkëpunimi i këtyre autoriteteve që të merren parasysh dhe të integrohen në Planin e Pergjithshem Vendor shqetësimet e ngritura nga ky institucion, që përfaqëson interesin e komunitetit të biznesit në të gjithë territorin e bashkisë.