Plazh, firma lë në mes punimet

02/07/2012 - 00:00

 

Firma që po realizon shtrimin e tubacioneve të kolektorit të ujërave të zeza ka braktisur punimet. Asnjë punëtor apo mjet i firmës nuk shihet përgjatë aksit rrugor ku kanalet e hapura janë mbyllur nxitimthi prej mëse tre javësh. Situata e krijuar nga kaosi që shkaktohet në trafik, era e rëndë dhe pluhuri që ngrihet në ajër po krijon një imazh aspak pozitiv, në një kohë kur zona ka nisur të popullohet nga mijëra pushues 

Rruga nacionale e Plazhit të  Durrësit, në sektorin Iliria, as më pak e as më shumë në këtë sezon veror është e ngjashme me një shesh beteje, pasojat e së cilës i vuajnë të gjithë banorët e zonës, shoferët e automjeteve dhe turistët që po bujtin dita ditës. Pasojat e një papërgjegjshmërie të tillë krijojnë një imazh të keq tek këta të fundit. Nga një vëzhgim në terren konstaton se punimet janë ndërprerë në mes, ndërsa kanalet e hapura deri në tre metra thellësi, në rrugën nacionale në sensin e hyrjes për në Durrës, përhapin një erë të rëndë në të gjithë zonën turistike. Firma që ka marrë përsipër ndërtimin e kolektorit të ujërave të zeza, e cila në muajt mars e prill çau në disa segmente aksin rrugor Ura e Dajlanit-Plepa, prej tre javësh është larguar duke i lënë punimet në mes. Në anët e rrugës shihen kudo kanale të hapura dhe tubacionet e kolektorit të palidhura me impiantin e ujërave të zeza që gjendet në zonën e ish Kënetës.

Përbri kësaj rruge për çdo ditë zbresin pushuesit nga Kosova, të cilët mbërrijnë me autobuzët e agjensive dhe padyshim që i pari ajër që thithin prej Durrësit është era e rëndë e ujërave të zeza, që lëshohet nga gropat e  pambyllura. Kompania fituese e tenderit dhe nënkontraktorët, duhet të punonin minimalisht me dy turne për të vënë në funksion këtë projekt të madh, i cili do t’i vinte në ndihmë të gjithë zonës bregdetare dhe operatorëve turistikë. Por jo vetëm që nuk punohet me dy apo tre turne, por punimet prej 15 qershorit janë ndërprerë totalisht. Përgjatë segmentit, aty ku gërmimet kanë lënë gjurmë, dallon qartë se rruga është hapur në një thellësi prej tre metrash dhe gjerësi prej 2.5 metrash. Tubacionet me diametër të madh janë vendosur ndërkohë që mbi kanalet e hapura është shtruar vetëm çakull. Para shkollës “Bajram Curri”, në sektorin Hekurudha, është lënë i hapur një kanal disa metra i gjatë dhe tre metra i thellë, në të cilin kanë shpërthyer ujërat e zeza. Në një rreze prej dy kilometrash, aty ku firma ka gjurmë punimesh nuk gjen asnjë tabelë orientuese  të firmës që ka marrë përsipër investimin madhor i cili shkon deri në 10 milionë euro, financim i Këshillit të Europës. Asnjë tabelë nuk tregon afatet e punimeve, kontraktuesit dhe zbatuesit e projektit, a thua se bëhet fjalë për një firmë fantazmë. Një mungesë e tillë nuk është aspak serioze, për më tepër që bëhet fjalë për një projekt të rëndësishëm.

Reagimet e banorëve

Ndanë trotuarit qëndrojnë me qindra banorë që në mëngjes herët presin autobuzat që vijnë me pushues nga qytetet kosovare dhe sistemohen në dhomat që jepin me qira apo hotelet  e zonës. Janë këta banorë të cilët ngrejnë zërin për situatën mjaft të rëndë të krijuar në zonën turistike në pikun e sezonit veror. Ata theksojnë se punimet e lëna përgjysëm kanë shkaktuar kaos në rrugën kryesore të plazhit, e cila në këtë periudhë përballet me një fluks të shtuar automjetesh. Në të njëjtën kohë ata theksojnë se era e rëndë dhe pamja aspak e këndshme që të ofrojnë kanalet e hapura anës rrugës nuk krijojnë aspak një imazh të mirë për zonën dhe po largojnë ditë për ditë pushuesit. “Një muaj e gjysëm punuan dhe në pikun e sezonit ikën dhe e lanë punën në mes. Na mbytën mushkonjat nga era e rëndë e kanalizimeve që kanë lënë hapur këtu në rrugë dhe nëpër rrugicat e lagjes! Të vërë dorë bashkia e qeveria, se na thonë që po plotësojnë kushtet. Shiko kanalet e hapura në kulmin e sezonit turistik, kështu do t’i presim turistët? Kanë tre javë që kanë ikur dhe askush nuk po kujtohet t’i mbyllë kanalet. Qeveritarët vijnë të kalojnë fundjavën këtu, por nuk e kthejnë fare kokën të shohin çfarë bëhet këtej”,-shprehet Fatos Sulku, banor i zonës. Ndërkohë Zabit Hasani, një tjetër banor, thotë se nuk dihet edhe për sa kohë do t’i lënë punimet në mes. “Është e pafalshme që hapin rrugën dhe e lënë të pambyllur. I fillojnë dhe nuk dihet se kur do t’i mbyllin. Të paktën të kishin mbyllur kanalet sepse na mbytën mushkonjat”. Të njëjtin shqetësim ngre edhe një qytetare tjetër e kësaj zone e cila apelon që të detyrohet firma kontraktuese të mbyllë punimet sepse pluhuri, era e rëndë dhe gropat e hapura jua kanë vështirësuar mjaft jetën këtyre banorëve.

Zgjidhja duket e largët

Duket se zgjidhja e këtij shqetësimi të ngritur nga qytetarët nuk do të jetë e lehtë dhe e shpejtë. Burime nga bashkia e Durrësit kanë bërë me dije, se firma që ka fituar tenderin ka marrë nënkontraktues të tjerë dhe punimet janë pezulluar për shkak të përfundimit të fondeve të akorduara. Realisht nuk dihet aspak se çfarë ndodh me këtë projekt, për faktin se nuk ka asnjë të dhënë publike se cila firmë ka fituar tenderin dhe cila po zhvillon punimet. Për më tepër që në terren nuk ka asnjë makineri apo punëtor të firmës që deri tre javë më parë vazhdonte punën në terren. Këto punime duhet të kishin përfunduar që një vit më parë, sipas marrëveshjes së lidhur në Ministrinë e Transporteve. Jo vetëm një vit me vonesë, por edhe në pikun e sezonit veror punimet janë bllokuar dhe asnjë institucion nuk ngre zërin apo jep sqarime për këtë situatë që mund ta dëmtojë rëndë sektorin e turizmit në Durrës. Gjatë gjithë periudhës që nga mbyllja e sezonit turistik të vitit të kaluar dhe deri në fillimin e sezonit të këtij viti asnjë investim nuk u krye në zonën e plazhit në Durrës. Ndërkohë, vetëm në fillim të verës nisën punimet për  ndërtimin e kolektorit kryesor te ujërave te zeza. Punimet përfshijnë edhe ndërtimin e rrjetit dytësor në lagjen 13.

Projekti

Një investim i madh prej 10 milionë euro, nga të cilat 8 milionë janë akorduar nga fondi i projektit të Komunitetit Europian, ndërsa qeveria shqiptare ka akorduar 2 milionë euro, po kryhet në të gjithë vijën bregdetare për ndërtimin e kolektorit të ujërave të zeza, që nis prej zonës turistike të Golemit, vijon me Shkëmbin e Kavajës deri tek Blloku Qeveritar dhe lidhet me impiantin e madh të përpunimit, i cili është ndërtuar në ish Kënetë. Ky investim i nisur dy vjet më parë ka si qëllim shmangien e ndotjes që ka vijuar për vite të tëra në Adriatik nga derdhja e ujërave të zeza nga subjektet private. Punimet kanë vijuar me shtrimin e tubacioneve në vijën bregdetare, por nuk është realizuar ende lidhja  me rrjetin që të çon në impiantin e përpunimit të ujërave të zeza.



 

Reagimi i bashkisë

I pyetur mbi këtë çështje, kreu i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, deklaroi se meqë investimi kishte akses të madh në komunitet bashkia i ka dhënë lejen e hapjes së rrugës firmës “Adriatik” me qëllim që punimet të kryheshin me tre turne dhe të mbylleshin brenda një kohe të shkurtër. “Ne u bëjmë me dije qyetarëve që punimet që kryhen në këtë rrugë janë marrë përsipër nga kompania “Adriatik” e përzgjedhur nga qeveria shqiptare dhe Banka e Këshillit të Europës, e cila është edhe financuese e këtij projekti kaq të madh dhe të rëndësishëm për të gjithë zonën turistike. Ndërtimi i kolektorit kryesor të ujërave të zeza të qytetit të Durrësit do të mundësojë shmangien e ndotjes së bregdetit, një problem ky që është kthyer në gangrenë për këtë zonë turistike. E kemi lejuar firmën që të punojë edhe gjatë periudhës së sezonit veror, pasi marrëveshja ishte që puna do të kryhej me tre turne, por kemi vënë re që ata i kanë zvarritur në maksimum punimet për mbylljen e këtij projekti. Në terren ka zvarritje të dukshme të projektit. Autoritetet të cilat mbikqyrin punimet duhet të ndërhyjnë për të përfunduar punimet një orë e më parë. Bashkia është përfituese e këtij projekti prandaj ne nuk mund të detyrojmë kompaninë zbatuese, sepse janë qeveria dhe Banka e Europës ata që duhet t’i kërkojnë llogari firmës për të mbyllur brenda afatit punimet. Bashkia i ka dhënë gjithë suportin e nevojshëm firmës për të të mos shkaktuar vonesa. Ne presim që firma të mbarojë punën sa më shpejt”.


 

Impianti, nuk është vënë në funksion

Impianti i trajtimit të ujërave të zeza në Durrës, është një investim i Financuar nga Banka Botërore. Punimet e tij kanë përfunduar në maj të vitit 2011 dhe mendohej të vihej në efiçencë në shkurt të 2012 pas përfundimit të linjave të furnizimit dhe të shkarkimit, të cilat aktualisht janë duke u ndërtuar. Investimi për impiantin e trajtimit të ujërave kap vlerën rreth 11 milion euro. Ai është i tipit konvencional me dy nivele trajtimi si dhe është i pajisur me laborator dhe pajisje moderne për operimin. Impianti ka një kapacitet ditor prej 30.000m³/ditë dhe do të fillojë punën me kapacitet të plotë në vitin 2015.Megjithëse është ndërtuar për t’i shërbyer një popullsie prej 250.000 banorësh, në një perspektivë të ardhshme ai i ka të gjitha mundësitë për të shtuar linjat e trajtimit e për të rritur kapacitetin përpunues për të gjithë popullsinë që është në juridiksionin e drejtorisë së Ujësjellës Kanalizimeve Durrës (më shumë se 250.000 banorë). Pas përfundimit të proçesit të fundit, llumi i dalë nga trajtimi do të përdoret për të prodhuar energji për vetë këtë vepër. Kjo energji do të mbulojë rreth 30% të kostos së energjisë që i duhet impiantit.

 

 

 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

“15 banesa të pabanueshme në njësitë administrative të bashkisë së Shijakut dhe 95 banesa me dëmtime të lehta.

Të shumtë kanë qenë qytetarët e Durrësit që e kanë kaluar natën jashtë nga frika e lëkundjeve sizmike apo nga dëmtimet e pësuara në banes

Një qytetar ka dërguar në redaksinë e DurrësLajm foto nga dëmtimet tek pallati 8-katësh ku ai banon.

Çadra te stadiumi dhe qendër e hapur tek Kovaleshenca në Durrës për të pritur banorët banesat e të cilëve janë të dëmtuara.

Dy tërmete të tjera janë regjistruar në harkun e një ore mëngjesin e sotëm në Durrës.

Durrësi zgjohet nga një tjetër lëkundje sizmike. 

Sërish lëkundje të forta tërmeti në Durrës gjatë natës.