Plazhet publike zaptohen nga privatët

18/06/2012 - 00:00

 

Një javë pas nisjes së sezonit turistik mungesa e plazheve dhe banjove e dusheve publike shqetëson pushuesit

Të shëtitësh në të gjithë bregdetin e Durrësit, më së shumti në këtë javë të tretë të qershorit syri të zë fillimisht një numër të madh tregtarësh ambulantë, të cilët kanë gjetur një mundësi të artë për t’u punësuar, në këto kohë kur kriza është ulur këmbëkryq në një pjesë të madhe të familjeve shqiptare. Ambulantët janë më të shumtë në numër se pushuesit që marrin rreze në çadra dhe shezlone. Mbi 500 ambulantë operojnë aktualisht në plazh, duke shitur aksesorë të ndryshëm, fruta perime etj. I gjithë bregdeti është zënë me çadra të vendosura nga privatët, ndërsa tabelat e dikurshme që sinjalizonin qytetarët për plazhet publike nuk ekzistojnë më. Në një vijë prej disa kilometrash syri nuk të zë asnjë plazh publik, ndërsa pushues të shumtë me çadra në dorë sorollaten gjithandej për të gjetur një copë vend ku të ngulin çadrën.

Pasi jemi larguar nga sektori Teuta dhe Apollonia, afër Hekurudhës, një familje nga zona e plazhit, e vuri çadrën vetëm një metër larg nga bregu i detit, pas një debati të gjatë me një nga djemtë që punonte pranë një plazhi privat. “Kemi blerë shtëpinë këtu tek Rrota e Kuqe, por nuk kemi asnjë vend ku të pushojmë. Dy fëmijët e vegjël, nuk mund të rrinë në diell, as bashkëshortja. Ne jemi pensionistë dhe nuk mund të paguajmë 5 mijë lekë në ditë shezlonin. Duhet të hapin vend për pushuesit, plazhi është i qytetarëve dhe jo i privatëve”,- shprehet i irrituar Pëllumbi, i cili i druhet më së shumti fjalëve që i bëjnë punëtorët e plazheve private. Pjesa më e madhe e këtyre plazheve janë ilegalë, të zënë forcërisht. Ata që dëshirojnë, kundrejt pagesës prej 500 lekësh në ditë, qëndrojnë në to. Të tjerët, sorollaten bregut të detit, në kërkim të një hapësire të vogël, dhe këta janë banorët e plazhit, ata që kanë blerë banesa në këtë zonë, por nuk kanë asnjë vend ku të pushojnë.

Plazhet,  2/3 të palicensuara

Këtë vit është shtuar numri i aktiviteteve “plazh privat” që operojnë në plazhin e Durrësit në një gjatësi prej 5 kilometrash, por në bashki nuk japin asnjë të dhënë mbi numrin e aktiviteteve të liçensuara. Një taksë prej 3.6  milion lekë të vjetra duhet të paguajnë aktivitetet “plazh privat” për 3 muajt e sezonit veror për 200 metra katrorë sipërfaqe rëre që administrojnë. Këtë taksë e paguajnë vetëm ata që bashkia i ka regjistruar, ndërsa pjesa më e madhe vijojnë aktivitetin ilegalisht. Por ajo që duhet theksuar është se në plazhin e Durrësit abuzohet në mënyrë fare të hapur. Disa prej punonjësve të Bashkisë janë të parët që kanë zaptuar sipërfaqet më të mëdha, në zonat më të frekuentuara, duke mos lejuar askënd tjetër që do të punojë ndershmërisht. Nga investigimi ynë në terren këto hapësira janë zënë nga punonjës të administratës së bashkisë dhe policisë bashkiake, të cilët u shmangen detyrimeve, por në të njëjtën kohë zënë edhe hapësirat e plazheve publike. 200 është numri i plazheve në katër zona të përcaktuara A, B, C, D dhe X, sipas një harte të vitit 2005, ku nuk është e përfshirë zona me frekuentim të ulët pushuesish nga Apollonia në Agip. Kjo zonë mban shkronjën X dhe në të gjendet numri më i madh i plazheve të liçensuar. Është pikërisht kjo zonë e cila kompenson dukshëm mosliçensimin e zonave të tjera ku fitimet janë disa herë më të mëdha se në zonën X. Duke nisur nga Apolonia deri në Iliria, çmimet e shezlongëve variojnë nga 400 deri në 600 lekë. Ndërsa nga Apolonia deri në Agip një çadër me dy shezlonë kushton 200 deri në 300 lekë. Hapësira publike nuk gjen në asnjë zonë tjetër përveçse në zonën e Agipit. Si çdo vit tjetër pushuesit kosovarë janë frekuentuesit e rregullt e plazhit të Durrësit. Zana, një pushuese nga Kosova që jeton në Norvegji, ka rreth 10 ditë që po pushon në Durrës. Në plazh ajo ka blerë një apartament dhe vjen shpesh këtu të kalojë pushimet. “Problemi më i madh që kemi është uji i pijshëm. Nuk kemi ujë. Duhet të ndezim pompat, por ne nuk e dimë si e kur vjen uji. Duhet më shumë pastërti në plazh, sepse nuk ka asnjë banjo publike. Ku do të shkojnë të gjithë njerëzit, që do të vijnë? Këto janë kushte elementare për plazhin e Durrësit, i cili është i gjithë kombit. Vij çdo vit, por nuk shoh ndryshime”,- shprehet Zana.

Banjot e shndërruara në lokale  

Para viteve ’90 megjithëse popullsia nuk ishte aq e shumtë në numër në këtë zonë, nuk mungonin banjot dhe dushet publike. Tek Rrota e Kuqe, 200 metra për nga Hekurudha banorët flasin nën zë për një banjo publike, e cila është kthyer në lokal dhe pret klientë. “E kanë zënë forcërisht, por as ti mos shko, se ata janë njerëz që nuk e dinë se çfarë është prona publike, e kanë kthyer në lokal”,- shprehen banorët me frikë. Në stacionin e autobuzave, tek “Rrota e Kuqe”, banorët e një pallati të ri, na tregojnë “kasaphanën” që ka shkaktuar prishja e një ish tualeti publik. Banorët e zonës përreth, vetëm 10 metra larg nga brezi i rërës, tregojnë se aty mblidhen personat që konsumojnë lëndë narkotike.

Afër sektorit Iliria, në anë të shëtitores bregdetare është një hapësirë e lirë, për parkim makine dhe lavazh. Është pikërisht një vend i zaptuar, i transformuar nga privatët në lavazh.  Dikur kjo godinë ishte në shërbim të publikut, për tualet dhe dush, në shërbim të atyre që dilnin nga plazhi, por ka vite që nuk e ushtron më funksionin  e saj.

Papastëri dhe mungesë higjene

Megjithëse sezoni veror u hap zyrtarisht një javë më parë asnjë kosh për mbeturinat nuk është vënë përgjatë gjithë gjatësisë së bregut të detit duke bërë që pastërtia dhe mungesa e higjenës të jenë problemet më të mëdha për pushuesit. Aktualisht investimet në turizëm bëhen vetëm nga privati, i cili kujdeset për pastrimin e hapësirës që ka në dispozicion për të menaxhuar. Pushteti lokal ka hequr dorë nga çdo shërbim duke ia lënë privatit çdo ndërhyrje të nevojshme. Janë privatët të cilët vazhdojnë të investojnë për turizmin, madje edhe aty ku duhet të ndërhyjë pushteti lokal. Në këto kushte, kur bashkia ka “hequr” dorë nga detyrimet e saj, operatorët turistikë janë të detyruar të mbushin çdo boshllëk të krijuar nga vendorët, sepse janë ata që dëmtohen më shumë nga mosfrekuentimi i plazhit. Nga informacionet e marra pranë hoteleve që ushtrojnë aktivitetin e tyre në plazhin e Durrësit frekuentimi i deritanishëm është në masë shumë të vogël, madje deri në 15 ditëshin e parë të muajit korrik situata duket e zymtë. Prenotimet janë në masën 25% krahasuar me një vit më parë.

 

 

 

 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

“15 banesa të pabanueshme në njësitë administrative të bashkisë së Shijakut dhe 95 banesa me dëmtime të lehta.

Të shumtë kanë qenë qytetarët e Durrësit që e kanë kaluar natën jashtë nga frika e lëkundjeve sizmike apo nga dëmtimet e pësuara në banes

Një qytetar ka dërguar në redaksinë e DurrësLajm foto nga dëmtimet tek pallati 8-katësh ku ai banon.

Çadra te stadiumi dhe qendër e hapur tek Kovaleshenca në Durrës për të pritur banorët banesat e të cilëve janë të dëmtuara.

Dy tërmete të tjera janë regjistruar në harkun e një ore mëngjesin e sotëm në Durrës.

Durrësi zgjohet nga një tjetër lëkundje sizmike. 

Sërish lëkundje të forta tërmeti në Durrës gjatë natës.