Duke përfituar nga temperaturat e larta jo të zakonshme për stinën e vjeshtës, qytetarë të shumtë iu drejtuan sot bregut të detit në Durrës. Familjarët, nën shoqërinë e njëri-tjetrit, zgjodhën plazhin tradicional për të shëtitur në këtë fundjavë pushimi. Të lodhur nga zhurmat, punët e shumta të javës, stresi i përditshëm, qytetarë të grupmoshave të ndryshme rendin drejt bregdetit, të prirur për ta shfrytëzuar në mënyra të ndryshme.

Vija bregdetare e Durrësit, ndryshe nga sa jemi mësuar ta shohim gjatë stinës së verës, të tejmbushur me pushues, përgjatë stinës së vjeshtës paraqitet krejtësisht ndryshe.

Qytetarë durrsakë, por edhe kryeqytetas, preferojnë që ditët e fundit të javës t’i kalojnë në qetësi nën zhurmën e dallgëve të detit. Të shoqëruar nga fëmijët, në të shumtën e rasteve, fundjava shërben  edhe për aktivitete fizike.

Njerëz të veshur në mënyrë sportive vrapojnë apo bëjnë edhe ushtrime të tjera të shumta fizike duke përfituar edhe nga koha e mire, e cila ka mbizotëruar gjatë muajit shtator por edhe 15 ditëshin e parë të muajit tetor.

Tashmë shumë prej qytetarëve e kanë kthyer në rutinë shëtitjen buzë detit, kryesisht pensionistët, pasi edhe koha e tyre e lirë është e bollshme. Temperaturat e larta dhe të ngrohta do të vijojnë edhe përgjatë ditëve në vazhdim, ku rreth datave 17-18 tetor pritet që temperaturat të kapin vlerën 28 gradë. Deri në fund të muajit,   sinoptikanët parashikojnë kryesisht mot të ngrohtë dhe të thatë.

K.H.