Plazhi, plehra dhe kafshë të ngordhura

15/04/2012 - 00:00

Plazhi i Ishmit i mbuluar nga plehrat
<h4>Plazhi i Ishmit i mbuluar nga plehrat</h4>

 

Alarm ekologjik në vijën bregdetare të Durrësit. Specialistët dyshojnë se kanë mbërritur prej Malit të Zi. Projektet për pastrimin dhe turizmin qëndrojnë të bllokuara, pasi buxheti i vitit 2012 nuk është miratuar ende. Autoritetet vendore e qendrore angazhohen për pastrimin e vijës bregdetare, pasi situata kaotike rrezikon sezonin turistik që po afron.  

Ajo çfarë po ndodh 10 ditëshin e dytë të muajit prill në zonën bregdetare të Durrësit nuk është dëgjuar dhe as është parë prej dekadash të tëra. Askush nuk di të thotë, se prej cilës zonë të vendit, nisen me qindra tonë mbetje plastike drejt brigjeve të Adriatikut, dhe depozitohen në bregdetin e gjirit të Durrësit.

E si të mos mjaftonte e gjithë kjo situatë që për specialistët është “apokaliptike”, tre ditët e fundit deti ka sjellë në gji me qindra kafshë të ngordhura, por edhe bagëti të imta, pjesa më e madhe e të cilave janë të dekompozuara dhe lëshojnë një erë kutërbuese.

Në një prej këtyre ditëve të fundjavës kemi qenë me punëtorët e Ndërmarrjes së Komunales së Plazhit, për të ndjekur nga afër procesin e pastrimit. Punonjësit e angazhuar në këtë detyrë kanë nevojë për vendosjen e maskave në fytyrë, sepse në të kundërt rrezikojnë të infektohen. Nga trupi i dekompozuar i një derri rreth 250 kg përhapej një erë mjaft e rëndë dhe për largimin e tij u soll një vinç.

Më në fund kafsha e dekompozuar së bashku me shumë të tjera u nis drejt stacionit të fundit, fushës së mbetjeve urbane në Porto Romano. Rreth 90 punëtorë, për më shumë se 12 orë në ditë, po tentojnë të largojnë nga bregu kafshët e ngordhura, që rrezikojnë të përhapin ndonjë epidemi. Gjatë këtyre ditëve deti nxori në këtë zonë rreth 250 tonë mbetje urbane, pa llogaritur kafshët e ngordhura, të cilat pasuan mbetjet plastike dhe industriale.

Një pjesë e punëtorëve të komunales së plazhit, të cilët kanë minimalisht 15 vjet në këtë shërbim shprehen se,- “kurrë më parë, deti nuk ka nxjerrë kafshë të ngordhura, përveç leshterikut që kohë pas kohe vjen në sasi shumë të mëdha”. Disa prej tyre thonë se edhe në vitet kur ka patur fortunale të jashtëzakonshme nuk ka ndodhur një gjë e tillë.

Për të larguar kafshët e ngordhura bashkia vuri në dispozicion një fadromë për mbledhjen e tyre. Pasi grumbullohen ato dizinfektohen me gëlqere dhe groposen në fushën e mbetjeve urbane, në Porto Romano.

Pastrimi

Plazhi i Durrësit u ndot një javë më parë në të gjithë gjatësinë e tij prej 3.4 km, nga ura e Dajlanit deri në sektorin Iliria. Mbeturina urbane dhe kafshë të dekompozuara u përhapën përgjatë gjithë vijës bregdetare duke u shpërndarë në një sipërfaqe prej rreth 30 ha. Për të rikthyer normalitetin në bregdet, në një kohë kur sezoni turistik po afron, janë angazhuar gjashtë automjete vetëshkarkuese, ekskavatorë si dhe 60 punonjës të Ndërmarrjes Komunale.

Një ndihmesë të madhe në procesin e pastrimit kanë dhënë edhe administratorët e hoteleve dhe restoranteve përgjatë vijës bregdetare, të cilët kanë pastruar sipërfaqe të mëdha rëre pranë bizneseve te tyre. Jo vetëm gjatë dimrit, por edhe në pranverë plazhi i Durrësit dhe shëtitorja e qytetit  “përmbyten” shpesh nga leshteriku.

 

Gjobat
Një vit më parë, Ministria e Mjedisit gjobiti me shuma të konsiderueshme pesë njësi vendore dhe ndërmarrje në qarkun e Durrësit për ndotjen mjedisore të shkaktuar në territorin e tyre. Mes të gjobiturave figuronin Bashkia Durrës dhe Ndërmarrjen Komunale e Plazhit. 
Bashkia Durrës – 1.000.000 lekë gjobë
Komuna Ishëm -  1.000.000 lekë gjobë
Ndërmarrja Komunale e Pastrimit të Plazhit – 1.000.000 lekë gjobë
Bashkia Krujë – 500.000 lekë gjobë
Bashkia Fushë - Krujë 500.000 lekë gjobë
Komuna Cudhi – 500.000 lekë gjobë 

Por ndërsa leshterikët tërhiqen sërish nga deti një gjë e tillë nuk duhet të ndodhë me qindra tonë plehra të dala në bregdet, pasi mbeturinat e plastikës dhe kafshët e ngordhura, nëse do të riktheheshin sërish në det do të shkaktonin një katastrofë edhe më të madhe ekologjike. 

Drejtori i komunales

Komunalja e plazhit, ndërmarrja që menaxhon pastrimin dhe shërbimet e zonës bregdetare dhe atë të Shkozetit ka në varësi të saj 86 punëtorë.

Siç bën të ditur për gazetën “Dyrrah”, drejtori i kësaj ndërmarrjeve Alfred Dhuli, për vitin 2012, është kërkuar lëvrimi i fondit prej 48 milionë lekësh, ndërsa 16 milionë lekë të tjera janë kërkuar për katër projekte urgjente për zonën e plazhit, që duhet të vihen në jetë para sezonit veror.

Por mosmiratimi i buxhetit të këtij viti ka krijuar një situatë mjaft kritike. Sipas Dhulit aktualisht po operohet me një të dymbëdhjetën e buxhetit. I vendosur vetëm pak muaj më parë në këtë detyrë, Dhuli thotë se menjëherë parashtroi katër projekte për t’u miratuar në këshillin bashkiak, për të cilët, flitet prej vitesh e nuk bëhet asgjë.

“Minimalisht duhet të rinovohen 100 kazanë për plehrat në zonën bregdetare, nëse nuk duam t’i shikojmë rrugëve në kohën e pikut të sezonit, duhet rregulluar ndriçimi në shëtitoren buzë detit, nga Ura e Dajlanit deri në Iliria. Kjo mund të realizohet pa asnjë shpenzim, sepse në ndërmarrjen e dekorit të qytetit janë të gjithë ndriçuesit që dikur kanë qenë në rrugët e Durrësit, të cilët u zëvendësuan me shtyllat e reja të ndriçimit. Do të mjaftonte vetëm riparimi i tyre dhe shëtitorja do të ketë dritë gjatë natës”,- tha Dhuli.

Ndërkaq vendosja e banjave dhe dusheve publike është një problem i përfolur prej vitesh. “Ne përfunduam projektin për ndërtimin e katër të tillave; në zonën e Urës së Dajlanit, në sektorin Teuta, në Hekurudha dhe në Iliria. Projekti ka një vlerë prej 6 milionë lekësh të reja”,- deklaron drejtori i Komunales.

Pas largimit nga zona e rërës së skeleteve metalikë të kullave të vrojtimit, kjo drejtori ka planifikuar vendosjen e njëmbëdhjetë bay watch-ve plastikë, në të gjithë vijën bregdetare. Ato mendohen të vihen nga kompanitë e ndryshme që do reklamojnë produktet e tyre. Ndërsa popullsia e zonës së plazhit tre-katërfishohet në pikun e sezonit turistik Dhuli thotë se për të realizuar një pastrim sa më efektiv kërkohet rinovimi i makinerive që kryejnë këtë proces.

Tani për tani kjo ndërmarrje ka në dispozicion nëntë makineri në total; tre agregate, katër kamionë për transportin e mbeturinave, një autobot për ujërat e zeza dhe një makinë vinç. Por këto mjete të përdoruara për vite me radhë në këtë shërbim, janë të pamjaftueshme dhe minimalisht kërkohet blerja e dy kamionçinave dhe një fadrome, për t’i ardhur në ndihmë fuqisë punëtore.

Dhuli: Mosmiratimi i buxhetit rrezikon investimet

Mosmiratimi i buxhetit të këtij viti vë në rrezik investimet e planifikuara nga ndërmarrja komunale e plazhit për të siguruar mbarëvajtjen e sezonit turistik. Sipas drejtorit Dhuli mbetet shumë pak kohë për të realizuar projektet që do të garantonin kushte më të mira për mijëra turistë e pushues që frekuentojnë vijën tonë bregdetare. “Po vazhdoi edhe për një javë kështu, nuk ka më kohë që të implementohen projektet e kërkuara për këtë sezon turistik. Po operohet sipas ligjit me vetëm një të dymbëdhjetën e buxhetit dhe kjo rrezikon shumë projektin për ndërtimin e banjave dhe dusheve publike, mungesa e të cilëve shkakton ndotjen masive të ujit të detit dhe rërës dhe rrezikon përhapjen e infeksioneve të ndryshme. Ky problem ka qenë gangrenë prej gjashtëmbëdhjetë vjetësh”,- deklaron Dhuli. Buxheti i Ndërmarrjes Komunale, e cila është në varësi të Bashkisë së Durrësit, është 53 milionë lekë në vit, në të cilin janë parashikuar fondi i pagave, sigurimeve shoqërore dhe shpenzimet për 86 punëtorët me kohë të plotë dhe për 30 punëtorët sezonalë, të cilët merren në punë gjatë muajve qershor, korrik dhe gusht.

Specialistët: Mister origjina e mbetjeve

Specialistë veterinerë dhe kapitenë anijesh me të cilët është konsultuar drejtori i Ndërmarrjes së Komunales së Plazhit, nuk kanë përcaktuar dot se nga cila zonë kanë mbërritur kafshët e ngordhura dhe mbeturinat urbane. Dhuli thotë se një prej detarëve të vjetër ka deklaruar se rrymat në detin Adriatik dhe Jon kanë zakonisht drejtim të kundërt, pra ngjiten nga brigjet e Durrësit drejt Shëngjinit dhe më tej në ato të Malit të Zi e Kroacisë për të “zbritur” në krahun bregdetar të Italisë. “Vetëm një anomali detare mund ta shpjegojë ardhjen e mbeturinave urbane nga këndi jugor i gjirit të Drinit në grykëderdhjen e lumit Ishëm, drejt brigjeve të Durrësit, në një distancë detare prej më shumë se 25 miljesh ose 40 km”,- thonë detarët. Ndërkohë një hipotezë tjetër që është hedhur është ajo se mbetjet urbane kanë mbërritur nga Mali i Zi. Kjo hipotezë është ngritur pasi shumë nga mbetjet plastike mbajnë etiketat e këtij shteti. Por asnjë nga specialistët nuk di të shpjegojë se nga kanë ardhur kafshët e ngordhura, pasi në asnjë zonë të vendit nuk është raportuar për mbytjen e bagëtive të imëta, apo të lopëve e kuajve. Në veri të qytetit bregdetar derdhet lumi Ishëm, ndërsa në jug ndodhetgrykëderdhja e lumit Shkumbin, nga i cili dyshohet se mund të kenë ardhur mbetjet urbane e ato industriale si dhe kafshët e ngordhura. Por ky version bie poshtë për faktin se banorët e fshatrave, përreth qarkut të Durrësit, nuk kanë denoncuar humbjen apo mbytjen e gjësë së gjallë e për më tepër nuk janë regjistruar shira të rrëmbyeshëm që lumenjtë të rrëmbenin bagëtitë.

Autoritetet të angazhuara për pastrimin e plazhit

Prefekti Genci Alizoti u kërkoi të gjitha institucioneve dhe drejtorive rajonale impenjim maksimal për pastrimin e vijës bregdetare. Duke iu referuar urdhrit të kryeministrit Berisha për një Shqipëri të Pastër, Alizoti theksoi se do të kërkohet ndërhyrja e të gjitha ndërmarrjeve në varësi të pushtetit lokal, por edhe atij qendror për të rikthyer normalitetin në plazh. Ramazan Kalia, drejtori rajonal i  agjencisë së mjedisit, tha se nuk dihet nga cila zonë e vendit kanë mbërritur në plazh qindra tonë mbetje urbane e industriale, por situata është problematike, sepse në zonën e Ishmit mbeturinat përveçse kanë mbuluar sipërfaqen e lumit rreth 74 km të gjatë, kanë mbuluar edhe vijën bregdetare të kësaj zone, që mbulon një sipërfaqe prej 20 hektarësh. Ndotja e kësaj sipërfaqeje e bën të pa frekuentueshme nga pushuesit një nga zonat më të bukura të bregdetit durrsak. Ndërkaq edhe në Rrogozhinë plehrat derdhen në lumin Shkumbin duke ndotur rëndë zonën përreth, përfshirë këtu edhe plazhin e Divjakës.

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Orët e para të ditës do të paraqiten kryesisht të kthjellëta në të gjithë vendin, por vranësira kalimtare do të ketë në zonat malore.

Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian nuk kanë mundur të bien dakort për hapjen e negociatave të Shqipërisë dhe Ma

Hetuesit në Durrës duket se janë afër zbardhjes së atentatit ndaj vlonjatit Edison Harizajt dhe shokut të tij në afërsi të Plepave.

Gjesti fyes i ambasadorit të OSBE-së në Tiranë, Bernd Borchard, është përcjellë me vëmendje edhe nga Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë.

Shtyhet seanca në ngarkim të Arbër Çekajt dhe dy të arrestuarve të tjerë për sasinë prej 613 kg kokainë që u kap në Durrës.

Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit Durrës ka ndërhyrë në fillim javë për të shembur betonimet e paligjshme që kishin ngushtuar kanal

Që nga fillimi i këtij viti portin e Durrësit e kanë vizituar 420 jahte, me flamurë nga të pesë kontinentet.

Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Agim Ismaili nga Komisioni i Sigurisë bëri një deklaratë të fortë duke pohuar se nga burgu janë poros

Një “Benz” i braktisur në autostradën Durrës-Tiranë, i vjedhur më herët gjatë shtatorit, ka marrë flakë dhe është djegur plotësisht.