Plazhi i Durrësit vijon të frekuentohet nga pushues vendas dhe të huaj. Edhe pse kjo është java e parë e shtatorit, vija bregdetare nga Ura e Dajlanit e deri në Plepa është mbushur me pushues të shumtë.

Temperatura e lartë, diell jo shumë i fortë, pastërtia, qetësia dhe larg kaosit të pikut të sezonit turistik, kanë shtyrë pushuesit të zgjedhin muajin shtator për të bërë banjo diellore.

Kryesisht të ardhur nga Kosova, pushuesit shprehen se po kalojnë shumë mirë dhe e konsiderojnë shtatorin si muajin ideal për të pushuar.

Por ka edhe nga ata që për shkak të impenjimeve të tjera nuk kanë pasur mundësi të bëjnë plazh përgjatë muajit gusht dhe shfrytëzojnë kohën e mirë me temperaturë optimale që po na ofron këto ditë të para muaji shtator.

Duke marr parasysh kushtet meteorologjike, pritet që plazhi i Durrësit të frekuentohet të paktën deri në fundin e muajit shtator. Por ka edhe qytetarë, sidomos durrsakë, të cilët nuk e ndërpresin plazhin asnjëherë, edhe kur temperatura nuk është optimale.

K.H.