Kushdo që përshkon këtë rrugë mundohet sa më shumë ta shmangë atë. Madje degradimi i saj ka arritur në pikën ku duket se më shumë e ndan sesa e bashkon Durrësin me Shijakun. Pavarësisht se është një segment rrugor mjaft i frekuentuar, aksi Durrës-Shijak vijon të jetë i amortizuar edhe pse përdoruesit kanë protestuar që në këtë aks të ndërhyhet në mënyrë emergjente.

Situata shfaqet problematike sidomos në këtë periudhë ku reshjet e shiut janë të pranishme, ç’ka bën që gropat e mëdha në rrugë të mbushen me ujë dhe drejtuesit e automjeteve të vihen në rrezik, në tentativë për t’i shmangur ato.

Mungesa e investimeve prej shumë vitesh, ka bërë që kjo rrugë të degradojë, ashtu siç duket edhe nga pamjet e publikuara nga “DurrësLajm”.

Janë vetëm 5 km rrugë, por autoritetet përgjegjëse nuk kujtohen të ndërhyjnë, ndonëse aksidentet nuk kanë munguar apo protestat e organizuara nga banorët e zonës.

Kujtojmë që gjatë muajit prill të vitit të kaluar, një emigrant i kthyer nga Italia, i revoltuar për gjendjen mjerane të këtij aksi, e bllokoi atë për disa minuta. Gjithçka nisi si një protestë individuale e më pas iu bashkuan edhe banorë të tjerë.

Por edhe në muajin dhjetor, qytetarët u ngritën në protestë për të kërkuar rehabilitimin e segmentit që lidh qytetin bregdetar me Shijakun, duke iu vënë flakën kazanëve të plehrave.

Ata zgjodhën këtë mënyrë për t’i kujtuar kryeministrit Rama se nuk e mbajti premtimin që dha pak muaj më parë, i cili konsistonte në përmirësimin e infrastrukturës në këtë aks rrugor, premtim ky edhe sot e kësaj dite i mbetur në letër, diku mes morisë së letrave të tjera të kreut të qeverisë!