Banorët e rrugës “Shkumbini” në lagjen nr.14 në Durrës janë ngritur në protestë paraditen e kësaj të marte, për të kundërshtuar projektin e rikonstruksionit të rrugës.

Sipas banorëve, me këtë projekt po bëhen abuzime pasi me zbatimin e tij, në vend që të shmangen përmbytjet, do të jenë më prezente. Kjo për shkak se firma ka nisur me mbulimin e kanalit që mbledh ujërat e zeza dhe vendosja në të e tubacioneve me diametër të ngushtë që nuk do të mund të përballojnë reshjet e shiu.

“Këtu ka qenë kanali i hapur, 8 metra i gjërë e dy metra i thellë dhe prap është mbushur me ujë dhe ka dalë në rrugë, ka ardhur te shtëpitë tona. Tani po e mbulojnë, po vendosin një tub shumë të vogël që as shkarkimet e banjove nuk i përballon ai lloj, jo më të përballojë ujërat. Është problem madhor.”, shprehet një banor.

Një tjetër abuzim sipas tyre bëhet dhe me faktin që rruga do të zgjerohet duke iu shembur rrethimin apo edhe banesat ndërkohë që siç thonë banorët, gjërësia e këtij segmenti i plotëson parametrat e duhura për të bërë trotuare pa iu prekur shtëpitë.

Ata shprehen se pas 25 vitesh me mungesë infrastrukture, e priten me entuziasëm rikonstruksionin e rrugës ndërsa tani janë të detyruar të bëjnë thirrje që projekti të rishikohet.

Banorët e kësaj zone janë përmbytur jo pak herë gjatë sezonit të reshjeve, ku uji ka vërshuar brenda banesave duke iu shkaktuar dëme të mëdha. Investimet ndër vite kanë munguar dhe kanë qenë vetë qytetarët që kanë rregulluar rrugën me të ardhurat e tyre.