Në një prononcim për mediat, stafi mjekësor i Njësisë Vendore të Shëndetit në Durrës ka denoncuar se ende nuk kanë marrë shpërblimin e premtuar nga qeveria për mjekët e vijës së parë në përballjen me Covid-19. 

Kryetari i Konfederatës së mjekëve në qytetin e Durrësit, Zija Alhysa tha se 33 personave, personel i kësaj njësie po ju bëhet presion për të mos dalë në grevë.

Sipas tij, punonjësit e Qendrës shëndetësore Epidemiologjike nuk dalin për të punuar, por as pronocohen për mediat pasi ju kërcënohen se do të humbasin vendin e punës.

Ne kërkojmë pagat tona, nga 26 nëntori deri tani. Kemi pagat pa marrë, ditët e shtuna, ditët e diela edhe festat, kemi punuar pas orarit. Kemi punuar 60 orë në javë jo 40. I kemi me shënime dhe nuk kemi marrë asnjë lekë, as pushime”, tha ai.

Alhysa thotë se vendimi i kryeministrit për bonusin prej 1000 eurosh për infermierët dhe mjekët si dhe 500 euro për shoferët e ambulancave dhe sanitaret gjatë kohës së Covid-19, nuk është zbatuar.

“Nuk ka marrë asnjëri, as ato që marrin tamponat, edhe pse merr 40 vatra (tamponë) një person. Kjo është poshtërsi, arrogancë e madhe. Kryeministri duhet ta marrë vesh që vendimi tij nuk zbatohet fare nga organet tona.”

Mimoza Muçaj thotë se ende mbeten të paqartë lidhur me mënyrën sesi do të shpërblehen dhe sipas saj kjo duhet të bëhet në mënyrë të barabartë për të gjithë.

G.D.