Përshkallëzohet protesta e opozitës para kryeministrisë, teksa pasi u hodhën disa lëndë djegëse dhe fishekzjarre, turma sulmoi hyrjen e Kryeministrisë.

Protestuesit po godasin me sende të forta derën e Kryeministrisë, për ta thyer atë dhe për t’u futur brenda. Gjithashtu po hedhin edhe tymuese.

Ndërkohë forcat e policisë kundërvepruan, duke hedhur gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën. "DurrësLajm" raporton se janë të shumtë personat e lënduar nga gazi lotsjellës, çka i ka detyruar të largohen prej aty.

 "DurrësLajm" raporton se qytetarëve iu janë skuqur sytë dhe po iu djeg fyti, ndërsa era e rëndë ka pushtuar gjithë sipërfaqen.

"Po na helmojnë horrat, po na mbysin", thonë të irrituar protestuesit, të cilët nisën paqësisht protestën, por ka precipituar gjithçka. 

Për shkak të gazit lotsjellës, turma u shpërnda për pak minuta, ndërsa edhe liderët e opozitës, Basha, Berisha e Kryemadhi, u larguan në anë të Kryeministrisë, për t’iu shmangur efektit të gazit.

Por Berisha i ndjekur nga një grup nuk ndalet, po rikthehet sërish në shesh, pavarësisht vështirësive.