Nuk kishte asnjë dyshim se materiali gjysëm historik dhe gjysëm gazetaresk i hulumtuesit Auron Tare, do të merrte formën e skandalit porsa të botohej. Sepse teza mbi të cilën mbështetet ai: bashkëpunimi i dy shkrimtarëve dhe figurave të kulturës Martin Camaj dhe Ernest Koliqi me agjenturat e huaja, nuk është një temë që kalohet në heshtje.

Auron Tare, ka kërkuar gjatë në dosjet arkivore të Sigurimit të Shtetit të CIA-s dhe agjenturave të tjera të huaja dhe ka botuar fakte tronditëse. Ai sjell dokumentin se si martin Camaj, kur ishte mësues në moshë të re në veri të Shqipërisë ka nënshkruar për tu bërë agjenti i sigurimit me pseudonimin “Bregu i Kuq”. Gjatë gjithë shkrimit me titull “Camaj dhe Koliqi të pazbuluar”, autoi ngre pikpyetjen nëse lëvizjet e Camajt nga Shqipëria në Beograd e më pas në europën perendimore kanë qenë të sponsorizuara nga sigurimi apo UDB-ja jugosllave?

Gjatë shkrimit del qartë se një pjesë jo e vogël e veprimtarive kulturore të mërgatës shqiptare në vitet e Luftës së Ftohtë, përfshi edhe revistat dhe botimet ku angazhoheshin seriozisht Camaj dhe Koliqi, mbaheshin në këmbë me financime të rregullta nga shërbimet e spiunazhit. Por duket se të dy personazhet kanë shkuar edhe përtej qëllimeve kulturore duke u angazhuar edhe në aktivitete politike që synonin edhe përmbysjen e regjimit të Enver Hoxhës, nëse ishte nevoja, edhe me armë.

“Dëshmitë e reja historike që sjell Auron Tare, për marrëdhëniet e këtyre dy figurave të mërgatës shqiptare me politikën dhe shërbimet agjenturore mund të ndihmojnë, tërthorazi, edhe për të kuptuar sa e vështirë në mos edhe sa poshtëruese ka qenë mbijetesa publike për intelektualët, në vitet e Luftës së Ftohtë; përballë trysnisë shkallmuese nga mokrat e rënda të interesave strategjike globale dhe nevojat totalitariste të regjimeve policore që të flaknin në burg ose edhe të likuidonin edhe për mosbindjen më triviale” e ka komentuar këtë shkrim media “peisazhe të fjalës”, tek e cila autori e shpënë për botim.

I ndërgjegjshëm që zbulimi i këtyre dokumentave të agjenturave do të shkaktonte një tollovi jo të zakontë Auron Tare i parapriu asaj me një shënim në rrjetet sociale: “Mos shani pa lexuar shkrimin ishte apeli i tij”. Por pavarësisht kësaj goditjet nuk munguan. në krye të tyre u vu studiuesi katolik Ardian Ndreca i cili e etiketoi autorin si një “Shvejk hoxhist”. Ndonëse në reagimin e tij nuk përgënjeshtron asgjë me kundër fakte (përpos asaj se Ernest Koliqi nuk ka qenë ambasador në Vatikan në 1943) ndreca ka përdorur një arsenal fyerjesh: “Tarja asht qartësisht nji prej megallomanëve nostalgjikë që ka të drejtën me shkrue çfarëdolloj gjaje t’i kërcejnë në krye, madje ka meritën që s’e mshehë këtë gja, përkundër më habit dashakeqësia e atyne që kontrabandojnë si të ishin studime historike ato që Tarja – i pafuqishëm në artin e historishkrimit – gjen të gatshme në internet dhe i ban copy/paste me zellin e nji Shvejku hoxhist”.

Gjithësesi pavarësisht polemikave sjellja e dokumentave të panjohura kryesisht nga arkivat e CIA-s, për dy shkrimtarët e shekullit të XX është një kontribut i cmuar. Mëkati është se autori nuk ka pasur mundësi të shfrytëzojë edhe arkivat e Beogradit që mbeten ende të mbyllura dhe që sigurisht do të jepnin një tablo më të plotë për mërgatën shqiptare në kohën e komunizmit.

Linku per shkrimin e plote te Auron Tares: https://peizazhe.com/wp-content/uploads/2020/07/Mite-t%C3%AB-rreme-Auron-Tare.pdf