Këtë fillim jave, Policia Bashkiake e Durrësit ka rinisur aksionin për lirimin e hapësirave publike në plazhin e Gjirit të Lalzit, nga ana e subjekteve që nuk kanë paguar detyrimet.

Aksioni ka si qëllim monitorimin, kontrollin dhe vjeljen e detyrimeve të pashlyera nga subjektet që kanë dhe disponojnë plazhet private. “Në të njëjtën kohë, monitorojmë subjektet për vendosjen e kullave të vrojtimit dhe rojeve bregdetare”, bën me dije për “DurrësLajm”, drejtori i policisë bashkiake, Vasip Çopa.

Çdo subjekt që operon në plazhe private duhet të ndërgjegjësohet dhe të paguajë detyrimet, pasi në të kundërt do të sekuestrohen çadrat dhe shezllonët.

Aksioni zhvillohet në bashkëpunim me ndërmarrjen e Pastrim-Gjelbërimit dhe zyrën e Taksave Vendore, e cila ka nxjerrë emrat e subjekteve që nuk kanë paguar detyrimet.

Më herët gjatë korrikut, Policia Bashkiake u përqendrua gjatë fazave të njëpasnjëshme të aksionit në plazhin e Durrësit dhe atë nga Shkëmbi i Kavajës deri në Golem, çka është vlerësuar maksimalisht nga shumë pushues që kanë zgjedhur bregdetin Adriatik për pushime.