Policia e Durrësit ka ndaluar dy inspektorët e AKU-së, të cilët u filmuan duke marrë ryshfet në një lokal në Durrës.

“Në lidhje me një video të publikuar mbrëmjen e djeshme në një emision investigativ "Fiks Fare" ku dy inspektorë të AKU-së paraqiten duke marrë rryshfet, janë kryer veprimet procedurale nga ana e Specialistëve të Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar , të cilët kanë ndaluar shtetasit:

Arben Gupi 51 vjeç, banues në Durrës, Inspektor pranë Drejtorisë së AKU-së;

• Medi Çela 49 vjeç, banues në Durrës, Inspektor pranë Drejtorisë së AKU-së.

Gjithashtu ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë në ngarkim të shtetasit E.J. 26 vjeç, banues në Durrës, kamarier në subjektin privat që u kontrollua”, informon policia e Durrësit në njoftimin e saj shpërndarë për mediet këtë të martë.

Sipas policisë, “Më datë 18.09.2018, shtetasit e mësipërm në detyrë Inspektor pranë AKU-së kanë ushtruar kontroll pranë një subjekti privat dhe nuk kanë mbajtur akt konstatimi ku kamarieri i subjektit që u kontrollua u ka ofruar një sasi parash prej 8 000 lekë të rinj, me qëllim që të mos e gjobisnin për mungesë të dokumentacionit higjieno – sanitar”.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” , “Shpërdorimi i detyrës” në bashkëpunim dhe “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar në nenet  259, 248 , 25 dhe 244 të Kodit Penal.

Më herët, u raportua shkarkimi nga detyra i dy punonjësve në fjalë, të cilët u pezulluan menjëherë nga detyra me urdhër të drejtorit të përgjithshëm.

Në një komunikim me “DurrësLajm” ditën e sotme, drejtori i AKU-së në Durrës Martin Jorgaqi, tha se masa ka qenë e menjëhershme dhe çdo inspektor i cili shpërdoron detyrën do të përballet me ligjin. Drejtori i institucionit në Durrës tha se AKU inkurajon çdo media, çdo qytetar dhe çdo biznes që të denoncojë menjëherë çdo abuzim me sigurinë ushqimore apo autoritetin e inspektorit.