Policia e Durrësit është në nivel të lartë gatishmërie pas kapjes së 613 kg kokainë në Maminas.

Në të gjitha rrugët kryesore, por edhe në sheshe kanë zbarkuar jo vetëm patrullat e policisë me uniformë, por edhe civilët të cilët mbajnë nën vëzhgim çdo situatë në rrugë.

Në autostradë janë ngritur grupe kontrolli të policisë së qarkullimit dhe të rendit, ndërsa në hyrje të Durrësit është stacionuar një patrullë e policisë rrugore, e cila po ashtu mban nën mbikqyrje lëvizjet e automjeteve.

Mjetet e policisë së komisariatit janë stacionuar pranë sheshit “Azem Hajdari” pranë valutës, ku qëndrojnë një numër i konsiderueshëm zyrash të këmbimit valutor, por edhe në bulevaret kryesore e sheshe të tjera ka prani të shtuar të forcave të policisë.

Sinjalet e shumta se mund të ketë përplasje pas kapjes së sasisë rekord të kokainës kanë ngritur në këmbë të gjitha strukturat e policisë, të cilat duan të ndalojnë apo të parandalojnë ngjarjet kriminale midis grupeve, të cilat kishin porositur drogën e kishin dalë garant të transportit të sigurt të saj.

Mësohet se uniformat blu kanë marrë sinjalin e kuq për të qënë në gatishmëri, ndërsa i njëjti sinjal u është dhënë civilëve, policisë kriminale dhe informatorëve, të cilëve u kërkohet që për çdo dyshim të lajmërojnë policinë.

Edhe ngjarjet kriminale me vjedhje, grabitje e plagosje në rrethet e tjera të vendit janë një alarm për policinë e Durrësit.

Shtimi i numrit të ngjarjeve kriminale në rrethet e tjera është sinjal alarmi se grupet apo individët e përfshirë në këto ngjarje mund të lëvizin drejt Durrësit apo drejt portit të Durrësit.

Këto situata janë duke u analizuar nga policia në Durrës e nga strukturat e saj për të parandaluar ngjarjet kriminale.

K.H.