Drejtoria Vendore e Policisë së Tiranës ka sqaruar zyrtarisht shoqërimin ish-kryeparlamentarit dhe ish-deputetit të PD, Kastriot Islamit dhe akuzat e këtij të fundit për keqtrajtim brenda nga policët.

Sipas njoftimit zyrtar, Policia thotë se Kastriot Islami u ndalua pasi ishte një kalimtar pa maskë, por politikani lëshoi fjalë të ulëta dhe ofendoi policët madje i kërcënoi me frazën “Do ta shihni pas 25 prillit, si të gjithë zagarët e Ramës”.

Policia konfirmon se pas këtyre fjalëve policët janë detyruar ta shoqërojnë në komisariat ku dhe i është komunikuar gjoba për mosmbajtjen e maskës mbrojtëse teksa Islami me veshje sportive kishte dalë për ecje nga Liqeni artificial i Tiranës, por u kap pa maskë.

NJOFTIMI i POLICISE:

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë

Në mënyrë të përsëritur shtetasi Kastriot Islami është prononcuar publikisht me pretendimin që Policia e Shtetit e ka keqtrajtuar.

E vërteta është se ky shtetas ka keqtrajtuar punonjësit e patrullës policore me një fjalor shumë të ulët.

Kastriot Islami është ndaluar nga patrulla e Përgjithshme si një kalimtar pa maskë. Ai menjëherë ka lëshuar ndaj punonjësve të policisë fjalë të ulëta, duke pretenduar se ai ishte një figurë publike që nuk mund të ndalohej prej tyre. Madje shtetasi i ka kërcënuar punonjësit e policisë, që “do ta shihnin pas 25 prillit, si të gjithë zagarët e Ramës”!

Patrulla e policisë është detyruar ta shoqërojë atë në komisariat, ku janë kryer procedurat ligjore dhe i është komunikuar gjoba për mosmbajtjen e maskës mbrojtëse.

Duke hedhur poshtë akuzat e fabrikuara nga shtetasi Kastriot Islami për Policinë e Shtetit dhe shprehur keqardhjen për fjalorin e tij ndaj punonjësve tanë, gjejmë rastin të theksojmë se Policia e Shtetit nuk i shërben politikës por ligjit.