Si çdo fundjavë, vijon kontrolli i Policisë Rrugore me radar e drager në të gjitha rrugët urbane dhe interurbane.

Burime zyrtare nga policia bënë me dije se gjatë monitorimit me radar të rrugës interurbane Tiranë-Durrës-Tiranë, përgjatë orëve të vona të mbrëmjes së djeshme, deri në orën 01:15 të mëngjesit të sotëm, u konstatuan 15 drejtues mjetesh me shpejtësi deri në 166 km/h, të cilëve iu tërhoq patenta. Ndërkohë që 14 drejtues mjetesh u ndëshkuan me masë administrative për shpejtësi dhe manovra të rrezikshme në rrugë.

Kontrollet do vijojnë edhe në rrugët e brendshme të qytetit duke përdorur alkool testuesit, me qëllim parandalimin e drejtimit të mjetit nën ndikimin e alkoolit apo në gjendje të dehur.

Drejtues mjetesh dhe motomjetesh, respektoni rregullat e qarkullimit rrugor, për të shijuar fundjavën dhe për të arritur të sigurt në destinacion.

Mos e trajtoni rrugën si pistë ndërsa mjetin si avion, duke u ekspozuar ndjeshëm ndaj rrezikut, për t’u përfshirë në aksident rrugor, ku për shkak të shpejtësisë, nivelit të alkoolit në frymëmarrje dhe mënyrës agresive në drejtim, mund të jetë edhe udhëtimi i fundit për ju.
Mbrojeni jetën, duke respektuar rregullat e qarkullimit rrugor.
#FundjavePerTeFestuar
#StopAlkoolitNeTimon”
, thuhet në njoftimin e policisë.